
Nënkryetari i Partisë së Lirisë, Edmond Haxhinasto, ka komentuar lidhur me politikat e ndjekura nga partia e majtë në vend dhe vetë kryesocialist, Edi Rama.
Në një intervistë për Quo Vadis në Vizion Plus, Haxhinasto theksoi se krahasimi i Ramës dhe së majtës me Partinë Laburiste në Britani nuk qëndron për shkak të ndryshimeve në efektet e qeverisjes në dy vendet.
“Modeli ka qenë Partia e re Laburiste, por nuk ka lidhje me atë që ka ndodhur në Shqipëri sepse britanikët nuk kanë marrë rrugët e botës, nuk e kanë lënë Britaninë me minus 30% popullësi nga keqqeverisja. Mendoj që sfida e opozitës sonë është një sfidë kombëtare, përtej çdo ngjyrimi ideologjik, një sfidë e cila mbi të gjitha kërkon që t’i kthejë sovranitetin qytetarit që të votojë për atë që mendon se duhet të qeverisë, kjo është dëmtuar rëndë në Shqipëri. Kjo është një tjetër politikë e cila është dëmtuar rëndë nga “e majta”, theksoi ai.
Në të njëjtën kohë, Haxhinasto nënvizoi se vendit i janë dëmtuar vlerat kombëtare themelore dhe shtoi se qeveria duhet të ketë në fokus ruajtjen dhe çuarjen më tej të këtyre vlerave që vendi gëzon dhe s’duhet të humbasë.