Digjet deponia në Komunën e Tearcës. Banorët shprehen të revoltuar. Për shkak të tymit dhe erës së keqe nuk i hapin dot as dritaret në këto ditë ekstrem të nxehta. Banorët kërkojnë zgjidhje nga Komuna. Kjo e fundit thotë se nuk ka financa për pastrimin e deponisë, pret ndihmë nga qeveria. Kreu i Tearcës akuzon qytetarët siç thotë të pandërgjegjshëm për djegien e deponisë.
“Që prej dy javësh po digjet deponia gjigante këtu në atarin e Komunës së Tearcës. Banorët ankohen se, edhe përkundër faktit se jetojnë rrëzë malit Sharr, dritaret nuk i hapin dot për të shijuar ajrin e freskët shkaku i aromës së keqe që kundërmon nga deponia dhe tymit që në orët e mbrëmjes mbulon fshatrat për rreth. Ankesa kryesore e banorëve është se, komuna nuk merr masa për eliminimin e kësaj ndotjeje që kanë mes fshatrave”, raporton Bashkim Sulejmani, gazetar.
“Pyeteni kreun e komunës që vetëm na premton dhe nuk e mban fjalën. Nuk përshkruhet sa keq është, në mbrëmje nuk punoj dot nga deponia që kemi afër, por veç kësaj në shtëpi nuk hap dot asnjë xham asgjë. Na ka premtuar kreu i komunës së do hiqen por deponia vetëm se shtohet”.
“Për mbeturinat mos fol ma shumë, ku të shkojmë ne krejt anët i kemi mbeturinat, kjo shumë na pengon, po s’i heqin. Komuna ka fajin se duhet të shikoj pak komuna”.
“kemi frikë nga kjo, frikë kemi, çdo ditë digjet zjarri aty. Dritaret si hapim dot shkaku i deponisë. Frikë gjithnjë kemi, komuna thotë gjithnjë do e rregullojmë por asgjë, s’marrin masa”.
Kreu i komunës së Tearcës Nuhi Neziri, ashtu sikurse edhe vit më parë justifikohet se pret ndihmë nga Qeveria për ta pastruar deponinë. Ai thotë se sepse komuna nuk ka financa për ta bërë me forcat e veta.
“Jemi në pritje të rebalancit të qeveritar sepse na thanë se me rebalanc që kjo pjesë do futet në buxhet jo vetëm nga Qeveria por edhe komuna që të sanohet të paktën ajo pjesë që digjet. Por ne jemi të vetëdijshëm se kjo bëhet nga qytetarë të papërgjegjshëm dhe të pandërgjegjshëm që në këto temperatura tropikale ndezin mbetjet që mund të shkaktojnë jo vetëm dëme materiale”, deklaroi Nuhi Neziri, kryetar i Komunës së Tearcës.
Ndërsa presin pastrimin e deponisë, të rinjtë e kësaj zone bëjnë sport në mes të mbeturinave pasi stadiumi i tyre është i rrethuar nga deponia. /Alsat.mk
The post Digjet deponia në Komunën e Tearcës, banorët shprehen të revoltuar appeared first on Telegrafi.