
Keshilli Europian është mbledhur sot në Bruksel dhe në fokus të diskutimeve është zgjerimi i unionit, lufta në Ukrainë si dhe situata në Gaza.
Shefi i politikës së jashtme Josep Borell theksoi mbështetjen e tij për zgjerimin.
“Zgjerimi është politika e jashtme më e rëndësishme. Është kapaciteti më i fortë i stabilitetit që kemi, jo vetëm me Ukrainën, por edhe me kandidatët e tjerë në Ballkan dhe në Këshill. Pra, është shumë e rëndësishme të merren vendimet e duhura dhe shpresoj se do të marrim udhëzime në mënyrë që të vazhdojmë të zhvillojmë mbështetjen ushtarake”, tha Borell.
I të njëjtit qëndrim ishte dhe kancelari gjerman Olaf Scholz.
“Jam absolutisht i sigurt se ky është një debat i domosdoshëm këtu në Evropë. Ne duhet të bëjmë përparim në procesin e anëtarësimit në BE. Është një vendim i Bashkimit Evropian që ne jemi gati për zgjerim. Duke diskutuar me shtetet e Ballkanit Perëndimor, duke diskutuar me Moldavinë, Ukrainën dhe Gjeorgjinë. Dhe veçanërisht në rastin e Ukrainës, ne mendojmë se është një hap i nevojshëm mbështetja për të”, tha Kancelari i Gjermanise.
Ndërkohë burimeve diplomatike të cituara nga mediat greke bënë të ditur se kryeministri grek Mitsotakis ka përsëritur të njëjtin qëndrim në mbledhje në raport me Shqipërinë. Ai ka theksuar vullnetin e sinqertë të Greqisë për zgjidhjen e çështjes “Beleri” duke përsëritur se Athina zyrtare ishte dhe mbetet pionere e integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor./vizionplus.tv/