
Të burgosurit në burgun e Strugës kanë filluar grevë urie. Kjo për shkak se, siç thonë 13 burgosur që janë hedhur në grevë, u është ndërprerë fundjava në liri dhe dalja në oborr për 6 muaj.
“Pa bërë asnjë shkelje na është ndaluar e drejta për punë jashtë, për shfrytëzimin e vikendit si dhe dalja në oborr për 6 muaj, ne kemi filluar grevë urie deri sa të pranohen të drejtat tona”, tha një i burgosur.
“Nuk na kanë lajmëruar pse nuk mund të dalim, drejtori na tha ka ardhur vendim nga Shkupi nuk mund të dal askush dhe na tha 6 muaj nuk keni të drejtë as vikend as, as pushim, as asgjë”, tha një i burgosur.
Drejtori i Burgut të Strugës, Ardit Mustafai, hedh poshtë këto deklarata dhe thotë se u është ndaluar vetëm e drejta e punës jashtë për shkak se nuk e kanë respektuar orarin.
“Janë ndërprerë vetëm kontratat e punës për një pjesë të të burgosurve që ishin të angazhuar me punë jashtë”, u shpreh Ardit Mustafai – drejtor i Burgut të Strugës.
Po të burgosurit insistojnë se u janë ndaluar të drejtat e lartpërmendur dhe kërkojnë rikthimin e menjëhershëm të vikendeve, që për ta përfaqësojnë një nga të vetmet mënyra për të ruajtur lidhjen me familjet dhe për të mbajtur një nivel minimal të dinjitetit njerëzor gjatë kohës së vuajtjes së dënimit. Për të vizituar gjendjen e të burgosurve në terren ka dalë edhe zyra e Avokatit të Popullit që mbulon këtë rajon./TV21/
The post Të burgosurit e Strugës në grevë urie, thonë se u është ndërprerë fundjava në liri dhe dalja në oborr appeared first on Telegrafi.