
Arben Taravari nuk do të jetë pjesë e Qeverisë, por në pushtetin ekzekutiv mund të mbesin anëtarët e Aleancës për Shqiptarët që nuk pajtohen me të, deklaro sot në Tetovë Bilal Kasami në përgjigje të pyetjes së një gazetari për atë se çfarë janë dakorduar si koalicion “VLEN” me kryeministrin Hristijan Mickoski. Sipas Kasamit, që të bëhen ndryshime në Qeveri do të duhet më shumë kohë, megjithëse dje tha se do të ketë hapa konkretë në këtë drejtim në ditët në vijim.
“Ne kemi vendosur që në periudhën e ardhshme të punojmë së bashku për të siguruar që Arben Taravari, si bartës kryesor i idesë së bashkëpunimit me BDI-në, të mos jetë pjesë e Qeverisë. Ekziston një marrëveshje që kushdo që bashkëpunon me Ali Ahmetin nuk mund të jetë pjesë e Qeverisë në këtë situatë. Për dinamikën dhe modalitetet se si do të zbatohet kjo që nga momenti që të kemi një zgjidhje konkrete, sigurisht që do ta informojmë opinionin, sepse nuk është një çështje e thjeshtë. Nëse biem dakord që do të ketë reformë të qeverisë, do të duhet të shohim se kush do të duhet të largohet dhe kush do të duhet të vijë, sepse shohim se edhe në këtë situatë ka disa palë të interesuara në qeveri që janë pjesë e partisë së Arben Taravarit, të cilët nuk pajtohen me të”, tha Kasami.
Kryetari i komunës së Tetovës dhe një nga liderët e “VLEN”, konsideron se duhet bërë një dallim i qartë midis Arben Taravarit, i cili është bartës i komunikimit me Ali Ahmetin, dhe Aleancës së Shqiptarëve. Ai kujton qëndrimin e koalicionit se Aleanca e Shqiptarëve është një faktor i rëndësishëm në koalicionin “VLEN” dhe dëshira e tyre është të vazhdojnë të jenë pjesë e koalicionit.
“Kushdo që është pjesë e Aleancës së Shqiptarëve dhe që dëshiron të vazhdojë të jetë pjesë e Qeverisë, ne jemi të hapur të vazhdojmë të bashkëpunojmë me ta. Pra, për momentin vlerësojmë se problemi kryesor është bashkëpunimi i drejtpërdrejtë i Arben Taravarit me Ali Ahmetin. Ai vendim është marrë tashmë, që në këtë rast, Arben Taravari nuk mund të jetë pjesë e Qeverisë. Çdo anëtar tjetër i Aleancës së Shqiptarëve që nuk pajtohet me këtë bashkëpunim midis Arben Taravarit dhe Ali Ahmetit është i mirëpritur të vazhdojë të jetë pjesë e Qeverisë. Prandaj, këto situata duhet të sqarohen, kush është pro dhe kush është kundër bashkëpunimit me BDI-në”, theksoi Kasami.
Sipas tij, kur të sqarohen dilemat me ASH-në, do të ketë ndryshime edhe në pozicionet e tyre aktuale zyrtare në Qeveri dhe organe të tjera të pushtetit ekzekutiv.
The post Kasami: Taravari nuk do të jetë në Qeveri, por ASH mund të ketë përfaqësues në pushtet appeared first on Telegrafi.