
Moti në vendin tonë do të jetë nën ndikimin e kushteve atmosferike të paqëndrueshme. Sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, parashikohet një ditë me vranësira mesatare deri në të dendura, të shoqëruara me alternime të herëpashershme kthjellimesh, kryesisht në orët e paradites.
Reshjet e shiut do të jenë prezente në pjesën më të madhe të territorit, kryesisht me intensitet të ulët deri mesatar në zonat veriore dhe qendrore. Në zonat veriperëndimore, në orët e mbrëmjes reshjet pritet të shtohen në intensitet, duke kaluar në shtrëngata të shkurtra, të shoqëruara me shkarkesa elektrike dhe lokalisht breshër.
Era do të fryjë nga drejtimi jugperëndim – juglindje me shpejtësi mesatare deri në 10 m/s, ndërsa në zona të caktuara si luginat dhe bregdeti do të arrijë deri në 18 m/s.
Deti do të paraqitet i trazuar, me një valëzim që pritet të arrijë deri në 3–4 ballë, duke sjellë vështirësi për lundrimet detare, sidomos për mjetet e vogla.
Shërbimi Meteorologjik Ushtarak apelon qytetarët dhe institucionet të ndjekin përditësimet zyrtare për çdo ndryshim të situatës meteorologjike dhe të tregojnë kujdes në zonat ku parashikohen shtrëngata apo breshër.