
Prokuroria Themelore në Shkup ka përfunduar hetimin për rastin “Onkologjia” dhe ka ngritur dy aktakuza në Gjykatën Penale në Shkup. Aktakuza e parë, e cila lidhet me operacionet ekonomike të Klinikës, përfshin dy individë.
I pandehuri i parë, në cilësinë si drejtor mjekësor, dhe i pandehuri i dytë, në cilësinë si drejtor organizativ i Klinikës, akuzohen për vepra penale në vazhdim – keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar, mashtrim në detyrë dhe përvetësim. Shumica e veprave penale janë kryer në periudhën nga viti 2018 deri në vitin 2022 dhe kanë arritur të bëjnë përfitime të konsiderueshme për të tjerët në vlerë prej 2.2 miliardë denarëve.
“Veprimet tjera që bien mbi barrën e të akuzuarve janë në kuadër të veprave më të rënda penale keqpërdorim i detyrës zyrtare dhe mashtrim në detyrë dhe marrë parasysh se nisëm me një hetim e po përfundojmë me dy për këtë lëndë. Akuza e dytë është për vepër penale kundër shëndetit të pacientëve, ku ka imput direkt nga dy ekspertizat që janë kryer në Slloveni dhe Serbi”, tha Gavril Bubevski, Prokuror Publik.
Aktakuza e dytë lidhet me trajtimin e pacientëve dhe përfshin katër onkologë, përfshirë ish-drejtorin, i cili akuzohet për krime të rënda kundër shëndetit të njeriut dhe zvarritje në trajtimin e pacientëve.
“Me ekspertizën mjekësore është vërtetuar se te 29 pacientë, i akuzuari i parë, ka aplikuar një metodë të papërshtatshme trajtimi, dhe në kundërshtim me udhëzimet onkologjike, duke mos iu përmbajtur dozimit dhe në fazën e mjekimit, ka administruar ilaçe nga gjeneratat e reja të imunoterapisë së synuar, me të cilat kanë dëmtuar rëndë shëndetin e pacientëve. Në disa raste, kjo është bërë e mundur nga i akuzuari i dytë i cili ka vendosur në dispozicion faksimilin e vetë”, deklaroi Ana Gogovska Jakimovska, Prokurore e lëndës.
Kryeprokurori Lupço Kocevski tha se më këtë përçohet mesazh edhe te Klinikat tjera që të punojnë si duhet. Ndërkaq sipas Kocevskit lënda “Onkologjia” ka thyer besimin e qytetarëve në shëndetësi.
Ndërkaq raporti i Entit Shtetëror të Revizionit për vitin 2023 zbulon se në Klinikën e Hematologjisë nuk janë evidentuar barnat për sëmundje të rralla dhe ato të dhëna si donacion. Po ashtu, janë konstatuar shkelje në procedurat e prokurimit dhe pagesa jo të rregullta të detyrimeve. Revizioni ka rekomanduar masa për përmirësimin e gjendjes.
The post Prokuroria me aktakuzë për rastin “Onkologjia”, pacientët me kancer kanë marrë trajtim të papërshtatshëm appeared first on Telegrafi.