
“BDI shpreh shqetësim të thellë lidhur me informacionet që kanë dalë në opinion publik mbi punësimet dhe avancimet e fundit në kuadër të Sektorit për Punë të Brendshme në Tetovë, përkatësisht në njësinë për Policinë Kriminale. Sipas të dhënave të siguruara, nga konkursi i fundit i brendshëm janë avancuar 12 të punësuar të përkatësisë maqedonase dhe vetëm 1 shqiptar, çka përbën një disproporcion flagrant dhe diskriminues në përfaqësimin etnik”, kështu reaguan sot përmes një komunikate për media nga Bashkimi Demokratik për Integrim.
Nga BDI thonë se është e papranueshme që në një institucion publik në zemër të një rajoni me shumicë shqiptare, të ketë një përjashtim kaq të theksuar të shqiptarëve nga mundësitë për avancim profesional dhe përfaqësim i drejtë në organet shtetërore.
“Më shqetësuese është që këto vendime janë marrë në kundërshtim me frymën e Marrëveshjes së Ohrit dhe parimet e barazisë etnike të garantuara me ligj.
BDI kërkon urgjentisht që:
• Të shqyrtohen të gjitha vendimet e marra në këtë konkurs nga Ministria e Punëve të Brendshme;
• Të bëhet transparencë e plotë rreth procedurës së përzgjedhjes dhe kritereve të përdorura;
• Të garantohet përfaqësim i drejtë dhe i barabartë i shqiptarëve në institucionet e sigurisë, siç përcaktohet me Kushtetutë dhe ligj.
Njëkohësisht, ftojmë drejtuesit institucionalë në SPB Tetovë të japin sqarime të menjëhershme lidhur me këto vendime dhe të tregojnë se kush realisht i merr vendimet në këtë sektor, drejtuesit zyrtarë apo figura të padeklaruara që veprojnë prapa skenës.
BDI nuk do të qëndrojë indiferente ndaj praktikave të tilla diskriminuese që rrezikojnë kohezionin shoqëror dhe barazinë qytetare. Ne do të kërkojmë përgjegjësi institucionale dhe politike për çdo shkelje që prek të drejtat e qytetarëve shqiptarë në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, thuhet në reagimin e BDI-së.
The post BDI: Përgjegjësi për diskriminimin etnik në avancimet në SPB Tetovë, 12 maqedonas dhe vetëm një shqiptar appeared first on Telegrafi.