
Aleanca për Shqiptarët, krahu i Arben Taravarit, sot ka reaguar për prishjen e objektit të “Monopolit”.
Nga forumi rinor i ASH-së thonë se ish-Monopoli është një objekt historik për shqiptarët, ku gjatë Luftës së Dytë Botërore u vranë dhe u varrosën mijëra shqiptarë.
Nga atje poashtu akuzojnë se është manipuluar me pronën publike.
“Sipas informacioneve zyrtare kryetari i komunës së Tetovë, Bilall Kasami fillimisht e ka shitur parcelën për vetëm 70 denarë për metër katror, ndërsa më pas ka ndërhyrë në planin detal urbanistik duke e karakterizuar atë si zonë ndërtimi dhe kështu duke ja rritur vlerën shumë fish, me çka i është hapur rrugë zhvillimeve komerciale në dëm të interesit publik.
Kompania që bleu këtë hapësirë është, sipas të dhënave të publikuara, në gjendje të rëndë financiare dhe pranë falimentimit – fakt që vetëm forcon dyshimet për një aferë të mirëfilltë kriminale dhe për favore të dyshimta ndaj investitorëve të caktuar.
Për më tepër, dhe më skandaloze, është se ne kemi informata jozyrtare se gjatë punimeve në këtë hapësirë janë zbuluar edhe eshtra që dyshohet se i përkasin viktimave të masakrës së Monopolit. Kjo e rëndon edhe më tej situatën dhe e bën urgjente nevojën për ndaljen e punimeve, hetim të thelluar nga organet kompetente dhe verifikimin zyrtar të çdo gjetjeje në këtë vend memorial për kujtesën kolektive shqiptare”, thonë nga ASh.
Nga atje shtojnë se arsyetimet e Bilall Kasamit janë të papranueshme. Ai thotë se veproi njësoj si paraardhësit e tij. Por qytetarët i kanë dënuar me votë ata, dhe do ta dënojnë edhe atë në zgjedhjet e tetorit./Telegrafi/
The post ASH me reagim për punimet tek “Monopoli” appeared first on Telegrafi.