Dimitrieska-Koçoska: Siguruam 600 milionë denarë mjete shtesë për investime në zhvillimin lokal dhe zbatimin e projekteve komunale

Pinterest LinkedIn Tumblr +

Sot, Kuvendi i Maqedonisë së Veriut miratoi Propozimin e vendimit për rishpërndarjen e mjeteve midis shfrytëzuesve buxhetorë për vitin 2025, me të cilin sigurohen 600 milionë denarë mjete shtesë për projektet investuese, njoftojnë nga Ministria e Financave.

Nga atje thonë se mjetet e siguruara nga Propozimi i vendimit janë destinuar për projekte infrastrukturore dhe kapitale për zhvillimin e komunave, në përputhje me Thirrjen e publikuar dhe kriteret e përcaktuara nga ministritë kompetente. Me anë të rishpërndarjes, u siguruan gjithashtu 242.3 milionë mjete shtesë për Ministrinë e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë për kompensime destinuar mbrojtjes sociale.

“Bëhet fjalë për sigurimin e mjeteve për realizimin e investimeve në komunat që janë pjesë e konceptit tonë të zhvillimit, veçanërisht të zhvillimit në nivel lokal. Mjetet shtesë prej 600 milionë denarësh po u vihen në dispozicion komunave për investime, që do të thotë kushte më të mira për jetesën e qytetarëve dhe shërbime më të mira nga komunat. Qëllimi i Qeverisë është përkrahja e zhvillimit lokal dhe njëkohësisht përkrahja e rritjes ekonomike. Me këtë vendim, mjetet i kemi shpërndarë në buxhetet e institucioneve kompetente dhe nga aty do të transferohen në komuna në përputhje me dinamikën e zbatimit të projekteve”, theksoi ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska.

Ajo shpjegoi se me vendimin e miratuar nga Kuvendi, mjetet financiare në vlerë prej 100 milionë denarësh rishpërndahen në Ministrinë e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, 361.2 milionë denarë në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, 62.4 milionë denarë në Ministrinë e Sportit dhe 60 milionë denarë në Ministrinë e Kulturës. Kjo shpërndarje bëhet në bazë të projekteve të dorëzuara dhe të miratuara në Thirrjen e dytë publike në të cilën komunat kanë dorëzuar projekte për realizimin e tyre./Telegrafi/

Advertisement

The post Dimitrieska-Koçoska: Siguruam 600 milionë denarë mjete shtesë për investime në zhvillimin lokal dhe zbatimin e projekteve komunale appeared first on Telegrafi.

Share.

Leave A Reply

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy