
Ministri i Administratës Publike, Goran Minçev tha se Ligji për përfaqësim të drejtë do të shqyrtohet sot në një seancë qeveritare, pas së cilës do t’i dërgohet Komisionit të Venecias, dhe më pas do të hyjë në procedurë parlamentare.
Në përgjigje të pyetjes së një gazetari në lidhje me punësimin sipas këtij ligji, Minçev theksoi se qëllimi është që punësimi të bazohet në kompetencë dhe cilësi.
“Ky ligj për përfaqësim të drejtë, i cili duhet të them se është një kategori kushtetuese që rrjedh nga Marrëveshja Kornizë e Ohrit, u përgatit nga një grup ekspertësh në Qeveri. Ligji do të shqyrtohet sot në një seancë qeveritare dhe do t’i përcillet Komisionit të Venedikut. Ajo që është e rëndësishme në lidhje me këtë ligj është se punësimi do të bazohet në kompetencë, cilësi dhe profesionalizëm.
Balancuesi është shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese dhe për këtë arsye motivi ishte që ky ligj të bëhej nga një grup ekspertësh kushtetues. Modeli i përfaqësimit të drejtë do të rregullohet me akte nënligjore, por pas çdo vërejtjeje të mëparshme nga Komisioni i Venecias”, deklaroi Minçev.
Bashkimi Demokratik për Integrim ka reaguar ashpër ndaj projektligjit të propozuar për përfaqësim të drejtë. Nga BDI thonë se ligji synon të zëvendësojë Balancuesin, një instrument ligjor dhe detyrues për pasqyrimin e realitetit demografik në institucionet publike, me një strukturë të paqartë, joefektive dhe politikisht sterile, siç është një “organ koordinues”./Telegrafi/
The post Minçev: Ligji për Përfaqësim të Drejtë do t’i dërgohet Komisionit së Venecias, punësimi do të bazohet në kompetencë appeared first on Telegrafi.