
Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi sot e vizitoi Komunën e Zhelinës ku së bashku me drejtorin e Agjencisë për punësim, Selajdin Beluli, realizoi takim me qytetarë, biznesmenë lokal dhe përfaqësues të institucioneve publike.
“Qëllimi i vizitës ishte prezantimi në terren i Planin operativ për programe aktive dhe masa për punësim për vitin 2025. Temë qendrore ishte mbështetja e madhe që e siguron Qeveria për punësim dhe vetëpunësim – shumë rekorde prej 40 milionë eurove, dedikuar mbi 10.000 qytetarëve të cilët dëshirojnë të gjejnë punë, të hapin biznes të vetin apo të trajnohen për një profesion konkret”, kumtoi Ministria e Ekonomisë.
Durmishi tha se kjo “nuk është vetëm një plan në letër – ky është plan për të ardhmen, plan në të cilin secili i ri, e re, secili i papunësuar e gjen mundësisnë e vet”.
Ai informoi se përmes thirrjeve të deritanishme publike për masat aktive për të cilat tashmë po bëhet selektimi: Masa 1.1: Deri 7.000 euro për fillim të biznesit për persona mbi 29 vjeç, Masa 1.2: Deri 10.000 euro për të rinj deri 29 vjeç me ide inovative, Masa 1A: Deri 20.000 euro për biznese të përbashkëta të së paku dy personave, janë parashtruar gjithsej 6.026 aplikacione.
Theks i veçantë ishte vënë në Masën 3.1 – Trajnim tek një punëdhënës i njohur, një prej formave më të suksesshme të përgatitjes për punësim, që drejtpërdrejtë i ndërlidhë kompanitë dhe të papunët.
Siç thekson Ministria në kumtesë, përmes kësaj mase punëdhënësit trajnojnë kuadro sipas nevojave të veta reale; të papunët përfitojnë shkathtësi praktike në ambient të vërtetë të punës; krijohet mundëssia për punësim të përhersshëm pas përfundimit të trajnimit.
Në kuadër të vizitës u prezantua edhe masa për punësim të subvencionuar, me të cilën u bëhet thirrje punëdhënësve nga ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme dhe organizatave qytetare të aplikojnë për mbështetje gjatë hapjes së vendeve të punës.
Ministria e Ekonomisë dhe Punës dhe Agjencia për punësim vazhdojnë me aktivitete në terren. Siç kumtohet, pas Zhelinës, pasojnë vizitat në Gostivar, Kërçovë, Saraj, Likovë dhe komuna t. tjera me shkallë të lartë të papunësisë.
The post Durmishi: Masa për punësim për vitin 2025, edhe 40 milionë euro për ekonominë lokale appeared first on Telegrafi.