
Zv.kryeministri në Qeverinë e RMV-së Arben Fetai, ka qenë i ftuari i radhës në emisionin “PodGo” me të cilin kemi diskutuar për Qeverinë e re, BDI-në, VLEN-in, si dhe zgjedhjet lokale.
Ai tha se BDI-ja ende nuk mund të ambientohet me rolin e opozitës për shkak të siç tha, më shumë se dy dekadave në pushtet. Ai i bëri thirrje opozitës shqiptare që të jenë konstruktive dhe të propozojnë zgjidhje konkrete.
“Janë opozitë e re, pas dy dekadave në pushtet e kanë të vështirë të ambientohen. Është mirë që të reflektojnë si opozitë dhe të propozojnë zgjidhje konkrete. Nuk janë aspak konstruktivë. Nga ana e tyre vetëm shohim përpjekje për të tensionuar situatën, për të rritur mosdurimin mes komuniteteve në vend, por të gjitha kanë dështuar. Ka një vit që flasin për protesta”.
“Në baza ditore i shohim pasojat e qeverisjes së BDI-së. Sot temë aktuale vendimi i Gjykatës Kushtetuese që e konfirmoi atë që atëherë e kemi thënë si opozitë në lidhje me regjistrimin e popullsisë. Është e pafalshme ajo që e bënë kur krijuan kategorinë e popullatës rezidente. Kushtetuta jonë përmend vetëm popullatë të përgjithshme. Këtë e bënë në mënyrë të paligjshme. Kjo nuk do të thotë se regjistrimi do të anulohet, po pasojat e regjistrimit janë të shumëfishta”, tha Fetai.
Sa i përket Ligjit për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, ai tha se draftin e ka pasur gati para katër viteve dhe se i njëjti është bazuar në shembuj të shteteve evropiane.
“Draftin e kam pasur gati që para katër viteve. Ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, gjëra e parë që e kemi bërë është të shohim praktikat evropiane dhe kam qenë në kontakt me partnerët ndërkombëtar dhe disa shtete ku ka përvoja të tilla, siç janë Zvicra, Belgjika, Itali dhe Sllovenia. Në asnjë vend nuk ka ligj të tillë që detajon në atë masë praktikat e zbatimit. Zbatimi i ligjit do të ketë kontroll politik. Do të dërgohet në Komisionin e Venecias dhe pas skadimit të afateve do të kthehet për procedura tjera”, tha Fetai.
Ai shtoi se dakordimi që Ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat të dërgohet në Komisionin e Venecias është arritur në mes Arben Taravarit dhe kryeministrit Hristijan Mickoski.
Ndërsa i pyetur për ASH-në, ai tha se ka vetëm një ASH dhe të tjerët i quajti patericë të BDI-së.
Ndërsa sa i përket VLEN-it, ai tha se për momentin funksionojnë si federatë partish dhe se në këtë model do të shkojnë në zgjedhjet lokale.
“Për momentin jemi federatë partish, në zgjedhje do të shkojmë në këtë format, besojmë që do të fitojmë pjesën dërmuese të komunave shqiptare. Për momentin bëjmë sondazhe për të gjetur kandidaturat më të mira. Është një kandidaturë e pavarur që është Mendi Qyra në Strugë, të cilin do ta mbështesim si VLEN”, tha Feta./Telegrafi/
The post Fetai: BDI nuk mund të ambientohet në opozitë, VLEN është më kompakt se kurrë appeared first on Telegrafi.