Azizi: Janë miratuar 829 projekte për komunat, me vlerë rreth 15 miliardë denarë

Pinterest LinkedIn Tumblr +

Në mbledhjen e 88-të të Qeverisë, e cila u mbajt dje, gjashtë ministritë resore të përfshira në nënprogramin për grantet kapitale për njësitë e vetëqeverisjes lokale – i njohur si AA, dorëzuan para Qeverisë propozim-vendime për projektet e komunave që i kishin përmbushur kushtet e përcaktuara në vetë thirrjen publike.

Zëdhënësja e Qeverisë, Venera Latifi Azizi informon se ky nënprogram paraqet një instrument të rëndësishëm për mbështetjen e komunave dhe forcimin e tyre institucional dhe infrastrukturor, me qëllim përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve.

Ajo tha se në kuadër të fazës së dytë, janë miratuar gjithsej 829 projekte, në vlerë prej rreth 15 miliardë denarësh, të cilat do të realizohen përmes ministrive në vijim: Ministria e Transportit dhe Lidhjeve – mbi 8 miliardë denarë, Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor – rreth 2.5 miliardë denarë, Ministria e Arsimit dhe Shkencës – rreth 1.6 miliardë denarë, Ministria e Kulturës – 622 milionë denarë, Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë – 520 milionë denarë dhe Ministria e Sportit – 544 milionë denarë.

“Me këtë, ne vazhdojmë ta mbështesim në mënyrë të vazhdueshme çdo komunë që i ka përmbushur kushtet sipas thirrjes publike, pa marrë parasysh përkatësinë politike të udhëheqjes komunale. Për ne, më të rëndësishëm janë qytetarët, mirëqenia e tyre dhe krijimi i kushteve më të mira për jetë në çdo pjesë të shtetit. Përmes kësaj mbështetjeje do të realizohen projekte për ndërtim dhe rindërtim të: rrugëve, sistemeve të ujësjellësit dhe kanalizimeve, shkollave, çerdheve dhe sallave sportive dhe pishinave dhe infrastrukturës publike me rëndësi jetike”, theksoi Latifi Azizi.

Advertisement

Njëherësh, zëdhënësja e Qeverisë  përkujton se në kuadër të thirrjes së parë publike, u ndanë 4,1 miliardë denarë për 274 projekte, një pjesë e të cilave janë tashmë të realizuara, ndërsa të tjerat janë në proces realizimi.

“Ky është edhe një hap historik në forcimin e vetëqeverisjes lokale – një proces që është dhe do të mbetet një nga shtyllat themelore të politikës zhvillimore të kësaj Qeverie. Po i ndërtojmë themelet e ndryshimeve, për kohën tënde që po vjen”, potencoi zëdhënsja e Qeverisë, Venera Latifi Azizi. 

The post Azizi: Janë miratuar 829 projekte për komunat, me vlerë rreth 15 miliardë denarë appeared first on Telegrafi.

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy