
Numri i përgjithshëm i përfituesve të sigurimeve shëndetësore në vend është mbi një milion e 820 mijë, që është më shumë se numri i banorëve, sipas Regjistrimit të fundit. Fondi i Sigurimeve Shëndetësore tashmë ka filluar formimin e një grupi pune ndërsektorial me qëllim përcaktimin e numrit të saktë të përfituesve të sigurimeve shëndetësore.
Drejtori i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, Sasko Klekovski, thotë se midis tyre ka shumë të ngjarë të ketë shtetas maqedonas që jetojnë jashtë vendit, të cilët nuk janë çregjistruar nga vendi dhe vazhdojnë të përdorin sigurimin shëndetësor, por ai nuk e përjashton mundësinë që të ketë edhe persona të siguruar të rremë.
“Mbi gjysma e përfituesve të sigurimit shëndetësor janë mbi baza të tjera, jo në bazë të pagës dhe fëmijëve të siguruar. Ne kemi nisur një iniciativë para Qeverisë për të rishikuar kriteret. Kjo është një punë ndërsektoriale që do të kërkojë kohë sepse kemi më pak banorë sesa kemi aktualisht përfitues të sigurimit shëndetësor”, tha Klekovski.
Ai theksoi se Fondi do të iniciojë gjithashtu ndryshime në Ligjin për Mbrojtjen e Shëndetit me qëllim përmirësimin e sistemit të kontrollit për lëshimin e lejeve mjekësore dhe për t’u ofruar ato atyre pacientëve që kanë vërtet nevojë për to./Telegrafi/
The post Klekovski: Në Maqedoni ka më shumë përfitues të sigurimeve shëndetësore sesa banorë appeared first on Telegrafi.