Punësimi i shqiptarëve në institucionet shtetërore, vazhdon përplasja BDI – VLEN

Pinterest LinkedIn Tumblr +

Vazhdon përplasja e BDI-së me koalicionin VLEN sa i përket punësimit të shqiptarëve. Nga partia opozitare sot në një postim në Facebook kanë publikuar institucionet që sipas tyre nuk ka asnjë punësim të rinj shqiptar.

Nga BDI thonë se “qëllimi është që shqiptarët të margjinalizohen plotësisht nga institucionet shtetërore dhe publike, duke u shtyrë në periferi të sistemit politik, administrativ dhe ekonomik të vendit”.

“Bashkimi Demokratik për Integrim shpreh shqetësimin më të thellë për diskriminimin sistematik dhe përjashtimin e shqiptarëve nga institucionet shtetërore dhe publike në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Rasti i fundit në Ministrinë e Energjetikës, ku nga 18 të punësuar të rinj asnjë nuk është shqiptar, është dëshmi e qartë e një plani të mirëmenduar për zhbërjen e statusit shtetformues të shqiptarëve në vend”.

Advertisement

“Kjo nuk është rastësi. Ky është implementimi i hapur dhe agresiv i një plani të dakorduar mes dy partive maqedonase, të ndërmjetësuar nga oligarkia politike që nga viti 2022. Qëllimi është i qartë: shqiptarët të margjinalizohen plotësisht nga institucionet shtetërore dhe publike, duke u shtyrë në periferi të sistemit politik, administrativ dhe ekonomik të vendit. Ky plan po zbatohet çdo ditë, me një ritëm të shpejtë dhe një dinamikë të sinkronizuar, duke përjashtuar shqiptarët nën pretekstin e “profesionalizmit” dhe “kompetencës”, një narrativë e rrezikshme që po përdoret për të rikthyer një shtet monoetnik, në kundërshtim me frymën dhe germën e Marrëveshjes së Ohrit”, thonë nga BDI.

Ndërkohë ndaj këtyre pretendimeve të BDI-së, kanë reaguar nga VLEN, prej ku të njëjtat i quajnë si shpifje dhe manipulime.

“Prej disa javësh, eksponentë të BDI-së po përhapin shifra të rreme, duke u përpjekur të krijojnë përshtypjen se shqiptarët po përjashtohen nga institucionet e shtetit. Këto janë gënjeshtra të ulëta nga ata që për 20 vite ndërtuan një sistem ku për t’u punësuar një shqiptar duhej të paguante 3 deri në 5 mijë euro tek sherifët lokalë të BDI-së, përndryshe dera e shtetit nuk hapej! Sot, shqiptarët nuk paguajnë më ryshfet për t’u punësuar, sot punësohen me dinjitet dhe me barazi!”, thonë nga VLEN, ndërsa kanë publikuar edhe shifra që sipas tyre janë të saktat sa i përket punësimit të shqiptarëve.

Advertisement

“Këto janë të dhëna të verifikueshme, nga institucione shtetërore, të realizuara vetëm në një vit qeverisje nga VLEN. Nëse BDI-ja i ka problem këto shifra, nuk është për shkak të shqetësimit për shqiptarët, por sepse ky përfaqësim po ndodh pa ndërhyrje nga “komisionerët” e tyre, pa ryshfet dhe pa shantazh!”, thonë nga VLEN./Telegrafi/

The post Punësimi i shqiptarëve në institucionet shtetërore, vazhdon përplasja BDI – VLEN appeared first on Telegrafi.

Share.

Leave A Reply

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy