
Me 60 vota “pro”, deputetët votuan që të mos debatohet interpelanca e Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese Darko Kostadinovski. Boban Karapejovski, deputet nga ZNAM, propozoi që interpelanca për Kostadinovskin të hiqet nga rendi i ditës.
Më herët, Kryetari i Kuvendit Afrim Gashi, në një takim informues me gazetarët, la të kuptohej se Kuvendi mund ta heqë interpelancën për Kostadinovskin nga rendi i ditës i seancës.
“Interpelanca për punën e Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski, duhet të hiqet nga rendi i ditës. Si grup parlamentar, nuk duam të marrim pjesë në dhunë ligjore. Kolegët kanë paraqitur një interpelancë në Kuvend kundër kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, por problemi është se Kuvendi nuk e zgjedh Kryetarin e Gjykatës, por anëtarët e Gjykatës Kushtetuese e zgjedhin kryetarin.
Vetëm dy vende në Evropë nuk kanë ligj për Gjykatën Kushtetuese, Bosnja dhe Hercegovina dhe Maqedonia, ndërsa fryma e kushtetutbërësit është që ajo duhet të vetë-rregullohet me një akt. Për të mos shkelur Kushtetutën, propozoj që kjo pikë të hiqet nga rendi i ditës”, tha Karapejovski.
Trembëdhjetë deputetë votuan kundër, pas së cilës Kuvendi e hoqi interpelancën e Kostadinovskit nga rendi i ditës./Telegrafi/
The post Kuvendi i RMV-së hoqi nga rendi i ditës interpelancën ndaj kryetarit të Gjykatës Kushtetuese appeared first on Telegrafi.