
Dhjetëra ligje të cilat kanë qenë të propozuara nga ana e opozitës në Kuvend kryesisht nga opozita maqedonase janë hedhur poshtë nga ana e deputetëve të shumicës.
Sipas deputetëve të LSDM-së, kjo tregon se kjo shumicë e kryesuar nga OBRM-PDUKM-ja as që dëshiron t’i dëgjojë këto propozim-ligje, e të cilat kanë qenë të premtuara edhe nga ana e OBRM-PDUKM-së, në programin të titulluar 1189.
Sipas deputetit, Jovan Mitrevski, për herë të parë në demokracinë parlamentare të Maqedonisë po ndodh që një parti politike i gënjen qytetarët para syve, duke mos votuar as ligjet, të cilat vet i kishin premtuar para qytetarëve.
“Gënjeshtër, një gënjeshtër e madhe. Të mos i votoni ligjet, të cilat vet i keni premtuar. Kjo akoma nuk është parë në Parlamentin e vendit tonë. Deri më tani të gjitha ligjet i refuzuat pa asnjë arsyetim, por po ju bëj thirrje së paku ta pranoni vetëm një ligj dhe të tjerat po i tërheqim.”, – deklaroi Jovan Mitrevski nga OBRM-PDUKM.
Ndërsa deputeti Elmi Aziri nga ASh-ja e Zijadin Selës ka reaguar se Kuvendi i kryesuar nga kryetari, Afrim Gashi, qëllimisht po lejon diskriminimin dhe shkeljen e ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe, sepse sipas tij, në disa raste materialet e Kuvendit po dorëzohen vetëm në gjuhën maqedonase.
“Të nderuar, sikurse edhe më herët që kanë dhënë vërejtje, ja edhe sot po jap disa materiale që sot i kemi pranuar vetëm në gjuhën maqedonase. Insistimi për mosrespektimin e rregullores, për mosrespektimin e ligjit për përdorimin e gjuhëve, për mosrespektimin e kushtetutës së RMV-së, nuk i bën mirë Maqedonisë, nuk i bën mirë as këtij Parlamenti, nuk i bën mirë as të ardhmes, por e bën të rrejshme tendencën deklarative të shumë deputetëve dhe funksionarëve se gjoja Maqedonia e Veriut t’i përqafojë vlerat e Bashkimit Evropian.”, – u shpreh deputeti i Frontit Evropian, Elmi Aziri.
Në rend të ditës ishte e planifikuar të jetë edhe interpelanca e ngritur nga ana e deputetëve të Frontit Evropian për punën e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Darko Kostadinovski. Deputetët e Frontit Evropian kanë theksuar se kjo iniciativë nuk ka për qëllim ushtrimin e presionit ndaj Gjykatës Kushtetuese, por të ngritë një debat institucional mbi mënyrën e funksionimit të këtij institucioni dhe rolin e kryetarit të saj në respektimin e Kushtetutës dhe të ligjeve në fuqi.
The post Refuzohen dhjetëra propozim ligje të LSDM-së, Elmi Aziri kritikon Kuvendin për mosrespektim të gjuhës shqipe appeared first on Telegrafi.