
Shfrytëzimi i potencialit demografik për zbatimin e politikave të përgjegjshme familjare duhet të jetë prioritet kryesor i shtetit. Kështu u shpreh zëvendësministri i Politikës Sociale dhe Demografi, Gjoko Vellkovski, në debatin e kushtuar kësaj problematike. Për t’i mbajtur të rinjtë në vendlindje dhe për të përmirësuar demografinë e vendit, nevojitet të zbatohen politika të përgjegjshme familjare, të harmonizuara me politikat e punës, duke u ofruar çdonjëri shërbime dhe kushte më të mira të jetesës, tha ai.
“Të rinjtë që janë produktiv dhe kreativ janë faktori kryesor në gjithë këtë proces. E gjithë këtë mund ta bëjmë nëse kemi vende të sigurta të punës, paga të mira, siguri në sistemin ku jetojnë duke filluar nga gjyqësori, prokurori e deri tek kopshtet për të pasur ata ku t’i vendosin fëmijët e tyre brenda orarit të punës. Pra, të mos ketë lista të gjata të pritjeve për pranim të fëmijëve. Andaj themi se duhet të përfshihen më shumë segmente”, deklaroi zëvendësministri i Punës Sociale dhe Demografi, Gjoko Vellkovski.
Me rastin e ditës botërore të popullsisë – 11 korriku, përfaqësuesit e UNFPA-së në Shkup thanë se trendet demografike tashmë sfidojnë jo vetëm vendin, por të gjithë rajonin dhe botën. Andaj në këto momente nevojitet të zbatohen politika të përgjegjshme gjinore dhe politika transformuese gjinore.
“Qëllimi i demografisë është që e gjithë popullsia të vendoset në qendër të gjithçkaje që po bëhet në shtet, pavarësisht se a bëhet fjalë për shërbime shëndetësore, sociale, arsimore ose për zhvillim ekonomik. Çfarë do që të jetë, është më rëndësi njerëzit, jo vetëm se sa janë ata në numër, por edhe në strukturën e tyre, ku ata po ndodhen, si është gjinia e tyre, çfarë niveli arsimor kanë dhe cilat janë nevojat e tyre. Andaj themi se është më rëndësi që të shfrytëzohet potenciali i çdo njëri që e kemi në vend, por më pas dhe të tërheqim njerëz tanë të cilët kthehen në vendlindje”, tha shefja e Zyrës së UNFPA-së në Shkup, Afrodita Shala.
Këto politika duhet të përfshijnë edhe masa afatmesme dhe afatgjata, të cilët do të përfshijnë sektorin privat duke ofruar kushte më të mira të të punësuarve, e në veçanti grave të cilat do të kenë mundësi të zgjedhin se sa fëmijë ata dëshirojnë të krijojnë, pa iu rrezikuar vendi i punës dhe njëkohësisht nevojiten politika, të cilat do të shfrytëzojnë potencialin e moshës së tretë në tregun e punës.
The post Demografia në RMV me shifra shqetësuese, Velkovski: Për t’i mbajtur të rinjtë në vendlindje duhen vende të sigurta pune dhe paga më të mira appeared first on Telegrafi.