
Nga Lindim Etemi-Struga Ekspres
Pse Struga ka qen endacak, ndërsa Ohri jo? Rreziku për qytetarët është real
Në qytetin e Strugës, problemi i qenve endacakë po bëhet gjithnjë e më shqetësues. Ndryshe nga Ohri, ku rrallë shihet ndonjë qen rrugësh, në Strugë ata janë kthyer në rrezik të përditshëm për banorët, sidomos për fëmijët. Shumë qytetarë janë kafshuar gjatë ditës apo natës, dhe prindërit jetojnë me ankth sa herë fëmijët e tyre nisen për në shkollë apo shkojnë të luajnë jashtë.
Është e pakuptueshme se si dy qytete kaq afër njëri-tjetrit mund të kenë kaq shumë dallime në menaxhimin e kësaj çështjeje. Pse Struga nuk mund të ndjekë shembullin e Ohrit? A ka ndonjë neglizhencë nga autoritetet lokale? Apo ndoshta qentë po sillen qëllimisht nga qytete të tjera dhe lihen në rrugët e Strugës?
Çfarëdo qoftë arsyeja, ky problem nuk mund të injorohet më. Rreziku është real dhe i përditshëm. Qytetarët kanë të drejtë të ndihen të sigurt në qytetin e tyre. Institucionet përkatëse duhet të ndërmarrin masa urgjente për të zgjidhur këtë krizë, jo vetëm për të mbrojtur njerëzit, por edhe për të trajtuar kafshët me kujdesin dhe dinjitetin që meritojnë, në mënyrë humane.
Struga meriton më shumë. Fëmijët tanë meritojnë të ecin të qetë drejt shkollës, jo të tremben nga qentë në rrugë.
(Struga Ekspres)