
BDI kërkon dorëheqjen e ministrit të Shëndetësisë, Azir Aliu, për shkak, siç thonë nga atje, mashtrim publik dhe manipulim me punësimet në spitalin e Tetovës.
“BDI dënon me ashpërsinë më të madhe mashtrimin publik të kryer nga Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, i cili ka manipuluar me vendimet për punësime në Spitalin Klinik të Tetovës, duke mashtruar 155 punonjës dhe gjithë opinionin publik.
Dje kemi dëshmuar një absurditet skandaloz: Azir Aliu e demanton Azir Aliun. Fillimisht njoftoi për punësime, pastaj i mohoi ato, duke dëshmuar se i gjithë procesi ishte një gënjeshtër politike për të fituar pikë elektorale mbi kurrizin e qytetarëve dhe punëtorëve të shëndetësisë.
Nuk mund të relativizojmë gënjeshtrën dhe mashtrimin. Duhet ta hedhim poshtë këtë teori të rrezikshme të manipulimit politik, ku një ministër hapur deklaron se çështja është kryer, madje akuzon të tjerët në atë kohë për gënjeshtarë, për të thënë sot se asgjë nuk është kryer, por “pas prolongimit do të kryhet”. Kjo nuk është politikë e përgjegjshme, kjo është tallje me qytetarët.
Ky duhej të ishte një akt i paprecedent, por fatkeqësisht po bëhet i përditshëm për funksionarët shqiptarë të cilët pa legjitimitet po rijnë në qeveri, gjë që tregon për mungesë përgjegjësie, mungesë transparence dhe përbuzje ndaj qytetarëve dhe gjithë Maqedonisë së Veriut. Ministri Aliu ka humbur çdo kredibilitet dhe nuk mund të qëndrojë më asnjë ditë në krye të Ministrisë së Shëndetësisë”, thonë nga BDI./Telegrafi/
The post BDI: Azir Aliu duhet të japë dorëheqje menjëherë për mashtrimet në Spitalin Klinik të Tetovës appeared first on Telegrafi.