
Lindim Etemi (Struga Ekspres)
Pse nuk përmend emra: Një rrëfim nga skaji i frikës dhe përgjegjësisë
Shumëkush mund të pyesë: pse nuk i përmend emrat? Pse flet në mënyrë të tërthortë, pa i nxjerrë publikisht ata që janë të përlyer, të kapur, të rrezikshëm? E vërteta është e thjeshtë dhe e frikshme: sepse jetoj në një qytet të vogël dhe pothuajse të kriminalizuar. Dhe në qytete të tilla, fjala mund të të vrasë më shpejt se plumbi.
Gazetaria nuk është vetëm zanat. Është përgjegjësi. Është betejë me frikën. Është përpjekje për të nxjerrë dritë, edhe kur ajo dritë digjet. Por është gjithashtu edhe një akt vetëmbrojtjeje. Sepse nëse shkel mbi kallo të gabuara, nuk të godet vetëm gjuha e ndyrë e ndonjë servili, por edhe grushti i errët i atyre që kanë në dorë pushtet informal, armë dhe ndikim.
Jetojmë në një vend ku shpesh është më e rrezikshme të thuash të vërtetën, sesa të kryesh një krim. Dhe kur të injoruarit, banditët dhe servilët bëhen pjesë e pandashme e sistemit, atëherë gazetari nuk përballet me individë, por me një mur të tërë heshtjeje, presioni dhe frike.
Unë e di kush janë. Dhe shumë prej jush e dini. Por le ta themi hapur, në këtë vend, nuk të vret vetëm plumbi, të vret edhe harresa institucionale, drejtësia që nuk vepron, shoqëria që hesht.
Kjo është arsyeja pse ndonjëherë, fjala ime nuk ka emra. Sepse gazetaria këtu është ecje mbi xhama. Dhe në këtë terren, mbijetesa është shpesh më heroike se revolucioni.
Por kjo nuk do të thotë se do të heshtim. Do të flasim. Do të shkruajmë. Me ose pa emra. Sepse zëri ynë është e vetmja gjurmë që u mbetet të vërtetave që përndryshe do të groposeshin në errësirën që po mbulon qytetin tonë të vogël. Dhe kjo, më besoni, është më shumë sesa frika.
Lindim Etemi (Struga Ekspres)