
“Me daljen e Aleancës për Shqiptarët nga qeveria dhe braktisjen e koalicionit VLEN, vendi i zëvendësministrit në Ministrinë e Mbrojtjes mbetet vakant. Edhe pas katër muajsh, në këtë ministri vazhdon diskriminimi i thellë ndaj shqiptarëve, ndërsa askush nuk po i mbron interesat e tyre”, kështu reagojnë nga Aleanca për Shqiptarët.
ASH-Taravari ka akuzuar VLEN-in se nuk ka arritur të plotësojë vendin që i takonte Aleancës për Shqiptarët, kurse ministri i OBRM-PDUKM-së po ndjek një agjendë antishqiptare, duke deshqiptarizuar institucionet.
“Gjatë kësaj periudhe, nga gjithsej 120 vendime për emërime në pozita të nënoficerëve, vetëm 14 janë dhënë për shqiptarë, një tregues i qartë se komuniteti shqiptar është i lënë pas dore dhe nuk ka kush ta mbrojë. Parashtrohet pyetja: a e humbi VLEN këtë pozicion dhe a do të emërohet së shpejti ndonjë kuadër maqedonas, si Petar Bogojevski, i cili i quan ushtarët e UÇK-së “banda terroriste”? Ku mbeti Arben Fetai, i cili dikur thirrej në emër të Aleancës për Shqiptarët dhe që humbi dhjetëra pozicione në qeveri? Aleanca për Shqiptarët kërkon përgjegjësi dhe transparencë nga Qeveria dhe VLEN për diskriminimin e vazhdueshëm të shqiptarëve në Ministrinë e Mbrojtjes. Është e papranueshme që në dikasterin e mbrojtjes të gjitha këto anomali, në një shtet që është anëtare e NATO-s”, thonë nga ASH-Taravari.
The post ASH-Taravari: Shqiptarët të lënë pas dore në ministrinë e Mbrojtjes, ministri i OBRM-PDUKM-së po vazhdon të ndjekë agjendë anti-shqiptare appeared first on Telegrafi.