
Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, sot zhvilloi takim me komisionin e brendshëm, i caktuar për përgatitjen e analizës paraprake të ndërhyrjeve kardiologjike dhe kardiovaskulare në institucionet shëndetësore të vendit. Në takim morën pjesë edhe zëvendësministri, Jovica Andovski, dhe drejtori i Fondit për Sigurim Shëndetësor, Sasho Klekovski.
Komisioni është formuar me qëllim mbledhjen, përpunimin dhe analizimin e të dhënave, me fokus të veçantë në periudhën nga viti 2022 deri më 2025, si në institucionet private ashtu edhe publike shëndetësore.
“Pres që komisioni të dorëzojë rezultate objektive, të cilat burojnë nga një proces maksimalisht profesional dhe i pavarur. Rezultatet e punës do të jenë të rëndësishme për përcaktimin real të gjendjes dhe vendosjen e një baze të fortë për përmirësimin e menaxhimit në shëndetësi”, u shpreh para anëtarëve të komisionit ministri Azir Aliu.
Komisioni i brendshëm është i përbërë nga ekspertë të shquar në fushë, juristë dhe ekonomistë, mes të cilëve: dr. Vasil Papestiev nga Klinika e Kardiokirurgjisë, dr. Biljana Zafirovska dhe dr. Ivan Vasilev nga Klinika e Kardiologjisë, dr. Mishel Andonov dhe dr. Ilir Vela nga Klinika e Kirurgjisë Torakale dhe Vaskulare, dr. Nensi Lozançe nga Spitali Klinik i Manastirit, dr. Valon Asani nga Spitali Klinik i Tetovës, dr. Nikola Hristov nga Klinika “Zhan Mitrev”, dr. Zharko Hristovski nga “Acibadem Sistina”, si dhe përfaqësues nga FSSH (dr. Ana Mitevska dhe dr. Zhaklina Krstevska), Stefanka Petkovska, juriste, dhe përfaqësues nga Ministria e Shëndetësisë (dr. Aleksandar Mitov, Stojanço Stojkovski dhe Bahar Llama).
Nga Ministria e Shëndetësisë njoftojnë se kanë dërguar një njoftim tek institucionet publike shëndetësore që të dorëzojnë të dhëna për numrin e përgjithshëm të procedurave dhe operacioneve të kryera gjatë periudhës janar 2022 – gusht 2025, që lidhen me procedurat ndërhyrëse kardiologjike, siç janë koronarografitë dhe vendosjet e stentëve, angiografitë vaskulare dhe operacionet kardiokirurgjikale/vaskulare.
“Procesi do të jetë maksimalisht transparent. Gjetjet nga analiza e komisionit të brendshëm do të dorëzohen sa më shpejt në komisionin profesional të përbërë nga ekspertë të huaj, ndërsa raporti i komisionit të brendshëm do të publikohet në faqen zyrtare të internetit të Ministrisë së Shëndetësisë”, thonë nga MSH.
The post Aliu: Pres rezultate objektive nga analiza e ndërhyrjeve kardiologjike dhe kardiovaskulare appeared first on Telegrafi.