
Anulimi i procedurës për miratimin e ligjit për veprim klimatik, që zgjat më shumë se pesë vjet, ka ndikim negativ në sistemin institucional, koordinimin dhe komunikimin mes institucioneve të përfshira në procesin e ndryshimeve klimatike, vlerëson Enti Shtetëror i Revizionit në raportin më të fundit për gatishmërinë e shtetit për t’u përballur me ndryshimet klimatike.
“Organet kompetente në shtet duhet të ndërmarrin masa dhe aktivitete shtesë për përballimin e ndryshimeve klimatike, për shkak se, ndër të tjera, mungon një strukturë e qartë e përcaktuar, si dhe koordinim dhe komunikim midis palëve të përfshira në procesin e ndryshimeve klimatike, ndërsa Plani kombëtar për përshtatje ndaj ndryshimeve klimatike nuk është miratuar”, thuhet në vlerësimin e revizorëve.
Sa i përket menaxhimit të ndryshimeve klimatike, revizorët vlerësojnë se legjislacioni aktual në fushën e mjedisit jetësorë, megjithëse rregullon disa çështje të ndërlidhura me ndryshimet klimatike, megjithatë nuk janë të mjaftueshëm për të vendosur një sistem përmes të cilit shteti do të mund të menaxhojë në mënyrë efektive ndryshimet klimatike.
Pavarësisht përfshirjes së një numri të madh të institucioneve, personave juridikë dhe palëve të interesuara në versionin paraprak të Ligjit për veprim klimatik, mungon përfshirja e pushtetit lokal, i cili është bartës i politikave në nivel lokal dhe njëkohësisht zbaton politikat nga niveli qendror, thuhet në raport.
Shteti nuk ka plan kombëtar për përshtatje ndaj ndryshimeve klimatike, por një pjesë e strategjive sektoriale parashikojnë masa dhe politika për përshtatje.
Në lidhje me financimin e ndryshimeve klimatike, në Strategjinë afatgjate për veprim klimatik, është parashikuar se për realizimin e politikave dhe masave për periudhën 2020-2050 do të jenë të nevojshme investime kapitale në vlerë prej 35 miliardë euro dhe shpenzime në sektorin e energjisë prej 121 miliardë euro.
The post ESHR: Vonesa në miratimin e Ligjit për veprim klimatik ndikon negativisht në koordinimin institucional për përballimin e ndryshimeve klimatike appeared first on Telegrafi.