Ndryshimet e motit, rritet numri i pacientëve me viruse

Pinterest LinkedIn Tumblr +

Ndryshimet klimatike në periudhën e vjeshtës rrisin numrin e pacientëve me ftohje dhe viruse, thotë mjeku Shpejtim Rexhepi. Njëherësh potencon se pacientët ankohen me dhimbje fyti, temperatura të larta dhe dhimbje të trupit. Pacientët e infektuar me virus marrin terapinë në bazë të simptomave që i kanë.

“Pasi që tash kemi ndryshime klimatike, ulje të temperaturave, numri i pacientëve është më i rritur në ambulanca. Paraqitet një ftohje, një grip, i cili fillon me simptome të ndryshme, duke filluar me dhimbje të fytit, me temperaturë dhe me kollitje, megjithatë janë si simptome më kryesore, mandej mund t’i kemi edhe simptomat shtesë ose simptomat e përgjithshme sikur dhimbje të nyjeve, dhimbje të trupit, humbje të fuqisë dhe oreksit, si dhe marramendje. Tek ata pacientë japim terapinë adekuate në bazë të simptomave që i kanë”, deklaroi mjeku, Shpejtim Rexhepi.

Mjeku Shpejtim Rexhepi thotë se kategoria më e rrezikuar, si të moshuarit, gratë shtatzëna dhe fëmijët më shumë e pësojnë ndryshimin e motit.

“Zakonisht ndryshimet klimatike ndikojnë në shëndetin e personave të cilët janë pak më të moshuar, te fëmijët dhe te gratë shtatzëna, te ata paraqiten simptomat që i përmendëm më herët dhe duhet patjetër të bëjmë kontrolle dhe analiza laboratorike me të cilën mandej pason edhe terapia adekuate. Zakonisht ndryshimet klimatike sjellin si pasojë një ftohje ose grip të lehtë, me simptome të lehta, megjithatë, nëse eventualisht si pasojë e rënies së imunitetit vazhdon dhe keqësohet shëndeti i tyre – nëse kalon ndonjë – ne e quajmë në mjekësi superinfeksion ose ndonjë infeksion bakterial ose ndonjë komplikim i mëtutjeshëm, atëherë pa dyshim se në bazë të kontrolleve dhe ekzaminimeve tjera të cilat na duhen shtesë, japim terapi adekuate”, theksoi mjeku, Shpejtim Rexhepi.

Advertisement

Mjeku Rexhepi rekomandon që personat e infektuar me virusin sezonal të kujdesen më tepër për shëndetin e tyre, duke konsumuar ushqim të shëndetshëm me frutat dhe perimet sezonale, të bëjnë gjumë më të mjaftueshëm, ajrosjen e ambienteve dhe një aktivitet ditor fizik.

Share.

Leave A Reply

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy