
Përdorimi i kartelës bankare për të kryer pagesa dhe shërbime, ka shënuar rritje.
Deri në fund të vitit 2024 janë raportuar 1 milion e 684 mijë e 34 kartela bankare të klientëve në Kosovë, të cilat përfshijnë kartela debiti, krediti dhe kartela debiti të vonuar për individë dhe biznese.
Në numrin e përgjithshëm të kartelave për vitin 2024, janë përfshirë edhe të dhënat e kartelave me funksion paranë elektronike të lëshuara nga Institucionet Financiare Jo Bankare (IFJB) me gjithsej 75,482 kartela. Në Kosovë, sipas regjistrimit të fundit popullsisë, janë 1 milion e 585 mijë e 590 banorë.
Sipas Bankës Qendrore të Kosovës, krahasuar me fundin e vitit 2023, numri i përgjithshëm i kartelave të klientëve është rritur për 4.49 për qind.
Numri i përgjithshëm i kartelave në fund të vitit 2023 ka qenë 1 milion e 611 mijë e 723 kartela.
Për të njëjtën periudhë, debit kartelat janë rritur për 2.08 për qind, kredit kartelat janë rritur për 8.2 për qind.
BQK bën të ditur se gjatë analizimit të numrit të transaksioneve me kartela, rezulton se gjatë vitit 2024 grup-mosha prej 26-35 vjeç ka kryer numrin më të madh të transaksioneve me debit kartela, nga të cilët 52 përqind e transaksioneve janë kryer nga meshkujt ndërsa 48 përqind nga femrat.
Kjo mund të nënkuptoj se kjo grup-moshë ka tendencë më të lartë për përdorimin e kartelave për pagesë, por mund të ndërlidhet edhe me faktin e posedimit më të lartë të kartelave dhe të ardhura më të rregullta mujore.
Kredit kartelat u mundësojnë mbajtësve të tyre të kryejnë pagesa apo edhe të tërheqin para të gatshme deri në një limit të paracaktuar nga lëshuesi i kartelës.
Kredia e lejuar mund të kthehet si e tërë në fund të periudhës së paracaktuar apo të kthehet në pjesë, sipas marrëveshjes me bankën, përmes aplikimit të interesit nga banka ndaj mbajtësit të kartelës për shumën e kredisë së shfrytëzuar.
Sipas BQK-së krahas rritjes së numrit të kartelave dhe bazuar në numrin e lartë të përdoruesve të internetit në Kosovë3, janë rritur edhe blerjet “online” (pagesa me kartela) përmes internetit. /Kp/