
ProLab është një hap drejt arsimit modern – një vend ku studentët do të mund të eksperimentojnë lirisht dhe të krijojnë zgjidhje për sfidat e së ardhmes. Laboratori i ri kreativ përbëhet nga dy hapësira që ofrojnë vend për punë ekipore në projekte, hapësirë për prezantime dhe një kënd për relaksim. Me ProLab, studentët fitojnë mundësi për zbatim të drejtpërdrejtë të dijes, lidhje me kolegët dhe zhvillim të ideve që mund të shndërrohen në zgjidhje reale afariste.
Projekti ProLab është menduar nga studentët, për studentët. Ideja dhe koncepti i dizajnit të hapësirës janë rezultat i punës së studentëve të talentuar nga Fakulteti i Arkitekturës pranë Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi”, të cilët, në kuadër të mësimit praktik, së bashku me ekipin e Super Block (Smart Living), e shndërruan idenë e tyre në një zgjidhje funksionale dhe bashkëkohore.
Në ngjarjen solemne të hapjes së ProLab mbajtën fjalë rektorja e Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup, prof. dr. Biljana Angellova, dekani i Fakultetit Ekonomik – Shkup, prof. dr. Mijallçe Santa dhe anëtari i Bordit Drejtues të ProCredit Bankës, z. Millan Damçevski, me një prerje solemne të shiritit të kuq dhe prezantim të funksioneve dhe qëllimit të ProLab si hapësirë inovative për kreativitet studentor, punë praktike dhe bashkëpunim.
“Me hapjen e ProLab, Fakulteti Ekonomik – Shkup fiton një hapësirë moderne që do t’u mundësojë studentëve tanë të shprehin kreativitetin e tyre, të zhvillojnë ide inovative dhe t’i shndërrojnë ato në projekte konkrete. Falë bashkëpunimit me ProCredit Bankën, arritëm të krijojmë një laborator që do të jetë urë lidhëse mes komunitetit akademik dhe sektorit të biznesit. Besoj se ProLab do të bëhet vend ku studentët do të motivohen, do të mësojnë nga njëri-tjetri dhe do të krijojnë zgjidhje me aplikim real në shoqëri.” – deklaroi dekani i Fakultetit Ekonomik – Shkup, prof. dr. Mijallçe Santa.
“Sot, në ditën e parë të vitit të ri akademik 2025/26, me gëzim e hapim hapësirën kreative të Fakultetit Ekonomik të titulluar si ProLab, të mbështetur plotësisht nga ProCredit Banka e Shkupit.
Me këtë rast, Universiteti “Shën Kirili dhe Metodi” shpreh mirënjohje të thellë ndaj ProCredit Bankës për mbështetjen e tyre dhe dua të theksoj se me këtë gjest ata nuk investojnë vetëm në një laborator, por në gjeneratat e ardhshme të ekonomistëve, liderëve dhe qytetarëve që do ta çojnë vendin tonë përpara. Mbështetja që ProCredit Banka i jep Fakultetit Ekonomik pranë Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” është shprehje e një vizioni të përbashkët, respekti dhe besimi. Me partneritete të tilla, besoj se po krijojmë institucione më të forta, kushte më të mira për mësim dhe një të ardhme më cilësore për të gjithë ne.” – deklaroi rektorja e Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup, prof. dr. Biljana Angelova.
“Qëllimi me ProLab është të krijojmë një mjedis që do t’i inkurajojë të rinjtë t’i shndërrojnë idetë e tyre në projekte konkrete dhe reale. Me këtë investim duam të tregojmë se besojmë dhe investojmë në potencialin e të rinjve dhe se së bashku mund të ndërtojmë një të ardhme më të fortë.” – deklaroi Millan Damçevski, anëtar i Bordit Drejtues të ProCredit Bankës.
Hapësirat e reja tashmë janë në përdorim dhe janë të disponueshme për të gjithë studentët e Fakultetit Ekonomik. Me ProLab, ProCredit Banka dhe Fakulteti Ekonomik – Shkup pranë Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” së bashku vendosin standarde të reja në zhvillimin akademik dhe profesional të të rinjve.