
Eugert Sino, 34-vjeçari i arrestuar pas zbulimit të arsenalit të armëve në rrugën “Myslym Shyri” në Tiranë, ka mohuar akuzat për përfshirje në veprimtarinë kriminale.
Edhe pse furgoni brenda të cilit u gjetën armët është në emër të tij, Sino ka thënë se nuk e ka idenë se kush mund t’i ketë futur brenda.
Furgoni prej kohësh ka qenë i parkuar në afërsi të rrugës Myslym Shyri dhe agjentët e policisë prej disa javësh po e vëzhgonin për të parë se kush fshihet pas trafikut të armëve.
Ndërkohë blutë kanë shpallur në kërkim dy persona.
Në këto foto ku duket mjeti i sekuestruar nga policia, furgoni ishte kamufluar me mbishkrime për punimin e rrugëve. Kjo sipas hetuesve është përdorur si mbulim nga autorët në mënyrë që mjeti të mos ndalohej apo të kontrollohej nga patrullat e policisë.
Gjatë kontrollit në makinën e 34-vjeçarit, policia gjeti dhe sekuestroi një sasi të konsiderueshme armësh.
U sekuestruan 12 armë zjarri të markave të ndryshme, 6 armë automatike, 5 snajpera, 1 silenciator, 17 krehra për armë zjarri dhe 15 000 fishekë, pjesë armësh dhe pajisje për shpërthime në distancë, municione të tjera si dhe uniforma policore.
Sipas burimeve, armët dyshohet se i përkasin një grupi kriminal që është goditur më parë nga SPAK. Hetuesit kanë dyshime se armët ishin planifikuar për t’u përdorur në ngjarje kriminale nga grupe të tjera që veprojnë në Tiranë, Laç dhe Burrel.
Armët e sekuestruara rezultojnë të jenë të reja dhe dyshohet se janë trafikuar nga Kosova./vizionplus.tv