
Guvernatori Gent Sejko zhvilloi një takim me misionin e Fondit Monetar Ndërkombëtar, ku u diskutua për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë.
Sejko nënvizoi se ekonomia vendase ka treguar qëndrueshmëri të lartë përballë sfidave globale.
“Vendi ka shënuar rritje ekonomike, inflacion të ulët e të qëndrueshëm, si dhe një sistem financiar të shëndoshë. Këto arritje janë reflektuar edhe në përmirësimin e vlerësimeve nga agjencitë ndërkombëtare Moody’s dhe S&P.
Në gjysmën e parë të vitit 2025, ekonomia u rrit me 3.6%, e mbështetur kryesisht nga kërkesa e brendshme dhe turizmi. Papunësia ra në nivelin historik prej 8.5%, ndërsa pagat reale u rritën me ritme të larta. Inflacioni po afrohet gradualisht drejt objektivit 3%, ndërkohë që politika monetare e ndjekur nga Banka e Shqipërisë ka mbetur akomoduese në mbështetje të këtij procesi, duke krijuar kushte të përshtatshme monetare për përmbushjen e objektivit të stabilitetit të çmimeve”, tha Sejko.
Ndërsa misioni i FMN nënvizoi se regjimi i lirë i kursit të këmbimit është i duhuri për Shqipërinë.
Sipas përfaqësuesve të FMN, flukset e larta valutore, të ndikuara prej rritjes së të ardhurave nga turizmi dhe investimet e huaja direkte, janë dhe shkaqet kryesore që ndikuan në forcimin e Lekut dhe dobësimin e valutave.
Po ashtu, ata u shprehën se anëtarësimi i vendit në sistemin SEPA, në funksion prej tetorit 2025, pritet të forcojë më tej integrimin financiar me Bashkimin Europian dhe të nxisë e formalizojë transaksionet ndërkufitare.
Në përfundim të takimit, pjesëmarrësit konfirmuan marrëdhëniet shumë të mira të bashkëpunimit midis Bankës së Shqipërisë dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, në kuadër të misioneve të FMN-së, asistencës teknike dhe më gjerë. Gjithashtu, ata vlerësuan rëndësinë që do të ketë për vendin zbatimi i një programi të vlerësimit të sektorit financiar (FSAP), puna për të cilin do të fillojë gjatë vitit të ardhshëm.
/vizionplus.tv