
Të shtunën vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme. Moti do të paraqitet me vranësira mesatare deri të dendura në të gjithë territorin.
Priten reshje shiu herë pas here me intensitet të ulët deri mesatar në pjesën më të madhe të vendit që në orët e para të ditës, ndërsa përgjatë ultësirës perëndimore reshjet do të jenë më intensive dhe me karakter afatshkurtër. Në disa zona reshjet do të shoqërohen me shtrëngata dhe shkarkesa elektrike.
Në zonën e Alpeve dhe në lartësitë mbi 1500 metra në verilindje, reshjet do të jenë në formë dëbore me intensitet të dobët.
Era do të fryjë nga drejtimi juglindje–jugperëndim me shpejtësi mesatare rreth 8 m/s, ndërsa përgjatë vijës bregdetare dhe në lugina do të arrijë deri në 17 m/s. Valëzimi në detet Adriatik dhe Jon do të jetë i forcës 2–4 ballë.
Temperaturat do të variojnë nga 7°C minimalja deri në 18°C maksimalja.