
Nesër, rreth 334 mijë votues të pesë bashkive të vendit do të votojnë për të zgjedhur kryebashkiakët e rinj. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpërndarë materialet zgjedhore në 5 bashkitë: Vlorë, Berat, Cërrik, Mat dhe Tepelenë.
Policia e Shtetit ka hartuar një plan masash për mbarëvajtjen e procesit të votimit dhe numerimit të votave.
Në 5 bashkitë ku do të zhvillohen zgjedhjet pjeshme, mësohet se Policia e Shtetit ka marrë në ruajtje 9 objekte zgjedhore ku janë vendosur KZAZ-të, si edhe 473 objekte që do të shërbejnë si qendra votimi, ku qytetarët do të ushtrojnë vullnetin e tyre.
Në total, janë 612 punonjës policie që do të angazhohen për ruajtjen e objekteve zgjedhore dhe shoqërimin e materialeve. Me fillimin e procesit të votimit në orën 7 të mëngjesit të së dielës, ata do të tërhiqen nga qendrat e votimit për t’u rikthyer sërish aty me mbylljen e qendrave. Uniformat blu do të bëjnë shoqërimin e kutive me votat dhe procesverbalet drejt vendeve ku do të bëhet edhe numërimi.
Ndërkohë, Policia e Shtetit i ka bërë thirrje qytetarëve të denoncojnë çdo rast që synon të tjetërsojë votën.
/vizionplus.tv