
U mbushën 36 vjet nga shembja e Murit të Berlinit, i cili ishte bërë simbol i Luftës së Ftohtë. Ndërtimi i tij filloi më 13 gusht të vitit 1961 dhe e shndërroi në një ishull Berlinin Perëndimor në Gjermaninë Lindore.
Muri, i cili ndante qytetin e Berlinit në dy pjesë ende kujtohet si “muri i turpit”, edhe pse kanë kaluar më shumë se tri dekada nga rënia e tij.
Në ato vite, 2.5 milionë njerëz të rinj dhe të arsimuar ikën nga Gjermania Lindore në atë Perëndimore për arsye ekonomike.
Administrata e Gjermanisë Lindore, për të parandaluar këto ikje, më 12 gusht 1961 në mënyrë të fshehtë vendosi që të mbyllë kufirin në Berlin. Ditën e ardhshme, ushtarët rrethuan me tela me gjemba rajonin e kontrolluar nga sovjetikët. Ndërkaq, më 17 gusht 1961, pas dështimit për të parandaluar këto ikje përmes gardhit kufitar, Muri i Berlinit, i lartë 3.6 metra në atë kohë, filloi të ndërtohet me tulla.
Kështu, Berlini, i ndarë në vitin 1949, u nda edhe fizikisht përmes murit, i cili në të njëjtën kohë ndante edhe Evropën dhe botën në dy blloqe dhe u shndërrua në simbol të Luftës së Ftohtë.
Përveç se kalonte në qendër të Berlinit, muri, me një gjatësi prej 155 kilometrash, përfshinte edhe rrethinën e qytetit. Kjo pasoi me rritjen e masave të sigurisë, aty u vendosën 302 kulla vrojtimi, ndërsa u angazhuan mbi 11 mijë ushtarë të Gjermanisë Lindore. Midis Gjermanisë Lindore dhe Perëndimore u vendosën tetë pika kufitare
Një numër i madh njerëzish u vranë teksa u përpoqën ta kalojnë kufirin dhe murin nga Gjermania Lindore. Edhe pse regjistrimet tregojnë se 136 njerëz humbën jetën gjatë këtyre kalimeve, supozohet që ky numër të jetë 250.
Muri Berlinit u shemb më 9 nëntor 1989 duke i dhënë kështu fund luftës së ftohtë./vizionplus.tv