
Miratimi i pikës 6 të rendit të ditës për “miratimin e listës së sipërfaqes së tokës prej 34.660 ha në Çërravë, e cila mund të jepet me qira”, ka sjellë tensione të forta në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Pogradecit.
Pas debateve të ashpra mes këshilltarëve dhe kundërshtimeve të vazhdueshme nga banorët e pranishëm në sallë, propozimi është miratuar me 20 vota pro, vendim i cili ka shkaktuar agravim të situatës dhe tensione që kanë degjeneruar deri në përplasje fizike.
Menjëherë pas miratimit të projekt-vendimit, njëri prej këshilltarëve bashkiakë, Engjëll Shyti, është ngritur nga tavolina dhe është përfshirë në një konfrontim fizik me Kevi Muçollarin, një nga banorët e fshatit Çërravë, i pranishëm në sallë për të kundërshtuar vendimin.
Ngjarja ka sjellë ndërhyrje të menjëhershme për qetësimin e situatës, ndërsa mbetet e paqartë nëse do të ketë pasoja ligjore apo masa ndaj të përfshirëve në incident.
Banorët e Çërravës kanë shprehur pakënaqësi ndaj vendimit, duke e konsideruar atë cenim të interesave të tyre dhe kanë paralajmëruar për përshkallëzim të protestave nëse nuk rishikohet.
“Pati një moment tensioni sepse antari i Këshillit bashkiak, z.Engjell Shyti u ngrit e na kërcënoi për shkak të asaj që thashë unë por në moment acarimi, pasi u miratua vendimi, paraqitem gjithë argumentet, deri në momentin që situata ishte e qetë, ishte rracionale. Kryetari tha se kjo është teke dhe ajde ta miratojmë vendimin, kjo është e papranueshme, ndaj ndodhi tensioni me antari e këshillit bashkiak, tani ajo çfarë duhet të dihet me siguri është se nuk do e lëmë këtu këtë punë. Këshilltarët turp te kenë, ata që e ndryshuan me vjen keq që duhet të jenë përballë kësaj situate, me vjen keq për gjendjen ku janë. Kjo punë nuk ngelet këtu. Do vazhdojmë ta ndjekim në gjithë hapat ligjore çështjen“, tha qytetari.
“Sot në mbledhjen e këshillit bashkiak u vendos për dhënien me qera të tokave që ne i kemi kullota të fshatit, këtu e shumë kohë më parë. Këta e dinë që ne protestuam dhe i tjetërsuan, na prishet puna se bagëtitë tona do përplasen me zotërinë që do marr tokat me qera. E njëjta gjë, nuk mund të kalojmë nga kullotat e tjera, nqs na zë kullotat. Pushteti dikur i ktheu pemëtore. Vazhdojnë të jenë kullota. Ne nuk do e lëmë, do vazhdojmë bëjmë protestë, ai që do e marrë do ketë probleme me fshatin. Ata le ta votojnë. Ne jemi mbi 20 blegtore. Nqs ne na ikin begatite, janë dylym me qera “, tha një tjetër.
“Kudo në shqipëri zabtuesi bëhet pronar, dhe bashkia ka menduar që këto toka ti zhvillojë dhe të marrë të ardhura nga prona e saj. Me kërkesën e banorëve bashkia ka reaguar dhe pjesln e kullotave që ka qenë kullotë është hequr nga prpjektvendimi dhe gjithë pjesa që ata pretendojnë që është kullotë që përdoret nga ata është lënë e lirë. Pjesa tjetër që është pemëtore do jepet për zhvillim bujqësor. Ligji e lejon ndërtimin e agrovoltaikëve në toka bujqësore kur ato kanë bonitetin 8-9 por ka një udhëzim të caktuar për të shprehur hollësisht i cili përcakron rrugët që duhet të ndjekë secili kërkues. Ne jemi të hapur që edhe banorë të ndryshëm me projekte të mirëfillta mund të aplikojnë për ti marë këto toka për qëllimet e tyre bujqësore ose blektorale”, tha Nexhmi Torra, përgjegjës sektorit të verifikimit të titujve të pronësisë dhe shpronësimeve./vizionplus.tv