
Kreu i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, ditën e sotme ka raportuar në Komisionin për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes mbi nivelin e sigurisë në vend dhe rezultatet e arritura gjatë këtij viti.
Proda theksoi se lufta kundër kultivimit të kanabisit mbetet një prioritet strategjik për Policinë e Shtetit shqiptar, si dhe një objektiv që kërkon angazhim të përditshëm, koordinim, transparencë dhe vendosmëri.
Ai vendosi theksin edhe te operacionet e përbashkëta me partnerët ndërkomëbtarë.
Proda: Partneriteti ynë me autoritetet italiane ka qenë vendimtar në këtë betejë dhe rezultatet e përbashkëta janë prova më e qartë se sa i rëndësishëm është bashkëpunimi ndërinstitucional dhe ndërkombëtar në këtë fushë.
Proda tha se Policia e Shtetit ka punuar intensivisht për përmbushjen e prioriteteve të dokumenteve strategjike dhe Planit të Veprimit për vitin 2025.
Sipas tij, ky plan synoi parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të narkotikëve, përmes operacioneve të koordinuara qendrore dhe vendore, bashkëpunimit ndërinstitucional dhe ndërkombëtar, si dhe angazhimit dhe ndërgjegjësimit të qytetarëve për të dhënë informacion.
Proda: Gjatë vitit 2025, u zhvilluan 812 takime me pjesëmarrjen e 16 885 qytetarëve dhe me angazhimin e 2955 punonjësve të Policisë. Institucionet arsimore dhe aktorët lokalë kontribuuan në mënyrë aktive në këto iniciativa. Kontrolli i territorit dhe përdorimi i teknologjisë ishin faktorë kyç për arritjen e rezultateve pozitive në parandalimin dhe goditjen e kësaj veprimtarie kriminale. Deri më 31 tetor 2025, Policia e Shtetit kreu 217 119 kontrolle në 330 431 orë shërbimi. Objektet e kontrolluara përfshinë: sera, magazina, shtëpi të braktisura, tunele dhe ambiente të hapura. Për vitin 2025, përdorimi i dronëve u rrit në 76 pajisje. Sistemi elektronik “GIS-NARKOTIK” ofroi të dhëna më të plota dhe raporte analitike për ndjekjen e kultivimit të kanabisit.
Një ndihmesë të madhe për terrenet mjaft të vështira na dha Ministria e Mbrojtjes, me vënien në dispozicion të helikopterëve, me qëllim transportimin e forcave policore në ato zona ku ishte e pamundur të shkohej me këmbë. Gjej rastin të falënderoj Shefin e Shtabit të Ushtrisë, Gjeneral Kingjin. Ne nuk u mjaftuam vetëm me kontrolle, nga toka apo nga ajri, as me prishjen e fidanëve apo bimëve kanabis të mbjella, por u punua me vendosmeri nga strukturat e Policisë kriminale për sigurimin e informacionit policor dhe për nisjen e hetimeve proaktive.
Gjatë 10-mujorit të vitit 2025 janë evidentuar dhe asgjësuar gjithsej 203 960 bimë kanabisi, nga të cilat 106 894 bimë të evidentuara nga monitorimi ajror dhe 97 066 të evidentuara nga kontrollet e territorit, nga strukturat e Policisë së Shtetit.
Nga analiza e bërë, dhe këtë vit qarku i Shkodrës mbetet qarku me risk më të lartë, me 105 591 bimë të asgjësuara. Njëkohësisht, nga strukturat e Policisë së Shtetit janë evidentuar dhe asgjësuar në fazë fillestare, 17 447 fidanë të dyshuar kanabis. Në këtë kuadër, përgjatë 10-mujorit të këtij viti u siguruan 6 917 informacione policore, për kultivimin e bimëve narkotike dhe filluan 104 procedime proaktive. Një punë e mirë parandaluese u bë dhe në drejtim të goditjes së posedimin/shitjes së farave të kanabisit, si rezultat i së cilës në 16 raste u sekuestruan 10 798 fara.
Proda tha se krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024, përgjatë 10-mujorit të vitit 2025 kemi ulje me 132 raste kultivimi, 58 317 bimë narkotike më pak dhe 71 873 fidanë më pak.
Ai theksoi se Policia e Shtetit mbetet plotësisht e përkushtuar për të rritur më tej rezultatet dhe për të minimizuar çdo tentativë për kultivim të kanabisit.