
Pas 90 vitesh, në Korçë do të rihapet Liceu Franko-Shqiptar i Shkencave dhe Inovacionit.
Në takimin përmbyllës të Komitetit Pilotues, ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, dhe ambasadorja e Francës, Catherine Suard, thanë se ky është një nga projektet e rëndësishme edhe për qeverinë shqiptare, që vjen si frut i bashkëpunimit midis Francës dhe Shqipërisë.
Ministria e Arsimit ka miratuar gati 90% të kurrikulës, ndërsa nxënësit, në përfundim të këtij liceu, do të marrin një diplomë që do të jetë njëkohësisht edhe matura shtetërore, edhe bakaloreati francez, një diplomë që do të jetë ndërkombëtarisht e njohur.
“Ministrja e tha që ky projekt pilotues është drejt mbylljes. Në lidhje me projektin e liceut, do të jetë projekt i përbashkët franko-gjerman. Do të jetë një kurrikul e përbashkët, gjithashtu do të jetë një diplomë e dyfishtë, pra nxënësit që do të diplomohen në këtë shkollë të mesme do të kenë diplomën e maturës dhe bakaloreatit francez dhe do të vazhdojnë më pas studimet më të mira në Europë. Besoj se ky është një lajm i mirë për të ardhmen e Shqipërisë.”, Ambasadorja e Francës në Shqipëri, Catherine Suard.
Liceu Francez i Korçës ishte një ndër institucionet arsimore më të rëndësishme në Shqipëri gjatë fillimit të shekullit XX. Ai ndikoi fuqishëm në formimin e një brezi intelektualësh shqiptarë, që më pas do të kishin rol kyç në zhvillimin e jetës kulturore dhe politike të vendit.
/vizionplus.tv