
Në tetor, inflacioni arriti në 2.3%, duke pësuar rritje në raport me të njëjtin muaj të një viti më parë, kur ky tregues ishte 1.9%. Megjithatë, Banka e Shqipërisë nuk është e shqetësuar nga kjo rritje, duke shpjeguar se ajo është brenda parashikimeve të saj.
“Ritmi i rritjes ekonomike rreth 3.6% është afër potencialit prodhues të ekonmomisë dhe ofron premisa për një shfrytëzim të mirë të faktorit punë dhe kapital. Është vënë re një rritje e lehtë e inflacionit, që është në linjë me parasikimet tona dhe që nuk sinjalizon përkeqësim të fuqisë blerëse të familjeve, por e afron inflacionin me objektivin tonë 3%”, tha Erald Themeli – drejtor në Departamentin e Politikës Monetare në BSH
Banka Qendrore pret që performanca ekonomike në muajt në vijim të jetë e mirë, arsye që e shtyu të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit për lekun në mbledhjen e fundit të Këshillit Mbikëqyrës.
“Presim që këto trende pozitive të vijojnë deri në fund të 2025 dhe në periudhën afatmesme, ekonomia do të vijojë të rritet me ritme që kanë mbizotuar gjatë vitit 2024 dhe 2025, do të bazohet te zgjerimi i kërkesës së brendshme, kosumi dhe investimet e sektorit privat. Me një kontribut pozitiv shtesë nga vijimi i rritjes të të ardhurave nga turizmi shqiptar dhe nga një kontribut nga një politikë fiskale. Politika monetare ka vënë nën kontroll të inflacionit pa dëmtuar trendin pozitiv të rritjes ekonomike të vendit dhe pa pasur nevojën të aplikojë rritje agresive të normave të interesit. Është ndikuar edhe nga ndihma që na ka dhënë forcimi i lekut përballë euros”, shtoi Themeli.
Po ashtu, Banka e Shqipërisë vëren se kërkesa e individëve për kredi ka ardhur në rënie, e ndikuar nga masat për të kufizuar sasinë e parasë që mund të merret hua për të blerë pasuri të paluajtshme./vizionplus.tv