
Nga SPAK, ku ka detyrimin që të paraqitet dy herë në muaj, Sali Berisha la të kuptohej se mori dijeni për fletëthirrjen për të dëshmuar për 21 janarin të premten.
Në 14 nëntor Prokuroria e Posaçme njoftoi zyrtarisht se Berisha kishte refuzuar të firmoste dy urdhërthirrjet e datës 3 nëntor e të datës 7 nëntor për tu marrë në pyetje nga prokurori që po heton ngjarjen.
Mirëpo, këtë të hënë Berisha mohoi se SPAK i kishte dërguar fletëthirrje, përndryshe ai do të kishte dhënë deklarime.
“Njoftim quhet kur një person njoftohet direkt. Nga data 3 deri sot, asnjë person s’më ka ardhur të më thotë orë dhe datë, të më dorëzojë një letër dhe asnjë person nuk rezulton të ketë marrë përsipër një gjë të tillë. Unë kam dy posta elektronike njëra është e imja dhe njëra është e kuvendit, që unë nuk e përdor. Unë kam një numër telefoni që e njeh gjithë bota, marr SMS çdo ditë dhe aty nuk ka ardhur asgjë”, tha Berisha.
Mirëpo, pak orë më pas, SPAK pranoi zyrtarisht se Berisha e firmosi fletëthirrjen , por pa dhënë më shumë detaje.
SPAK: Sot më datë 17.11.2025, gjatë zbatimit të masës “detyrim paraqitje” në Prokurorinë e Posaçme, z. Sali Berisha është njohur dhe ka nënshkruar urdhër-thirrjen lidhur me procedimin penal nr.138 të vitit 2024 (çështja e 21 Janarit), përmes të cilës, i kërkohet të paraqitet në Prokurorinë e Posaçme, në datën dhe orën e caktuar.
Që në 15 korrik të vitit të shkuar kur SPAK u detyrua nga Gjykata e Lartë të rihapë dosjen e 21 janarit, tete persona janë thirrur në Prokurorinë e Posaçme për të dëshmuar e shumë të tjerë pritet të paraqiten. Ndër zyrtarët më të lartë që kanë dëshmuar në SPAK janë ish-ministrat e Brendshëm, Lulzim Basha dhe Saimir Tahiri. Të ndjekur nga ish- ligjvënësit socialistë, Xhemal Qefalia, Armando Prenga e Arben Çuko.
Vendimi i Gjykatës së Lartë u parapri nga një tjetër vendimmarrje ajo e Gjykatës së të Drejtave të Njeriut në Strasburg ku “Çështja Nika kundër Shqipërisë” u fitua. Strasburgu i dha të drejtë familjarëve të Aleks Nikës duke i konsideruar vrasjet krim shtetëror. Ka qenë pikërisht, vendimi unifikues i Gjykatës Europiane që detyroi edhe Gjykatën e Lartë t’i jepte dritën jeshile çeljes së hetimeve të dosjes “21 Janari” e për rrjedhojë vuri SPAK-un në lëvizje. Procedimi penal është regjistruar për tri akuza të rënda “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese”, Shpërdorim detyre dhe Kryerja e veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës.