
Venko Filipçe ndjek pa rezerva strategjinë politike të Zaevit, duke mbrojtur interesat e biznesit të klanit Zaev, ndërkohë që injoron plotësisht kërkesat e bazës së partisë dhe neglizhon nevojën për reforma, akuzojnë nga OBRM-PDUKM.
“Filipçe pësoi një debakël në zgjedhje me vetëm 120 mijë vota dhe 6 komuna, duke shkatërruar besimin e qytetarëve dhe anëtarësisë së partisë. Prioriteti i vetëm i Filipçes është përmbushja dhe zbatimi i kërkesave dhe planit të Zaevit. Reformat dhe përparimi i LSD-së janë në sfond për Filipçen, dhe fokusi i tij është në dëshirat dhe mbrojtjen e Zaevit. Filipçe vepron sipas udhëzimeve të Zaevit, konfirmim i të cilave është përzgjedhja e personelit besnik të afërt me Zaevin dhe emërimi i Aleksandar Trajanovskit si nënkryetar i partisë”, thonë nga OBRM-PDUKM.
Derisa Filipçe po e shtyn LSDM-në në një krizë lidershipi, thonë nga OBRM-PDUKM, zyrtarët aktualë dhe ish-zyrtarë po distancohen prej tij dhe nuk duan të jenë pjesë e lidershipit.
“Me veprimet e tij, Filipçe po bllokon reformat në parti. I vetmi hap që mund ta shpëtojë partinë nga fragmentimi i mëtejshëm është dorëheqja dhe reforma e plotë e brendshme përmes një procesi transparent dhe demokratik. Maqedonisë i duhet një opozitë e fortë dhe konstruktive”, vlerësojnë nga OBRM-PDUKM./Telegrafi/