
Të dyja dhomat e Kongresit amerikan ranë dakord të urdhërojnë departamentin e drejtësisë të SHBA-së të publikojë dosjet e pedofilit famëkeq, Jeffrey Epstein.Dhoma e Përfaqësuesve votoi me shumicë dërrmuese 427 vota pro dhe 1 kundër, ndërsa Senati e miratoi unanimisht me shpejtësi pa një votim formal.
Lëvizjet vijnë vetëm disa ditë pasi Presidenti Donald Trump ndryshoi qëndrimin e tij dhe i kërkoi Kongresit të votojë për të zbuluar të dhënat pas kundërshtimit publik nga shumë prej mbështetësve të tij.Javën e kaluar, Trump dhe lidhjet e tij me Epstein u rikthyen në titujt kryesorë të lajmeve pasi u publikuan më shumë se 20,000 faqe dokumentesh, disa prej të cilave përmendnin presidentin.
Çështja pritej të merrte disa ditë për të mbërritur në Senat por pas votimit masiv në Dhomën e Përfaqësuesve, afati kohor u përshpejtua . Ai do të shkojë nga Senati në tavolinën e presidentit, ku ai pritet ta nënshkruajë dhe ta kthejë në ligj.
Projektligji kërkon që Prokurorja e Përgjithshme Pam Bondi të publikojë të gjitha të dhënat, dokumentet, komunikimet dhe materialet hetimore të paklasifikuara që lidhen me Epstein dhe bashkëpunëtoren e tij, Ghislaine Maxwell, jo më vonë se 30 ditë pas miratimit të ligjit.Këto materiale përfshijnë të dhëna, komunikime apo emra të njohur nga fusha të ndryshme nga e gjithë bota. Jeffery Epstein u gjet i vdekur në qelinë e burgut në New York në vitin 2019, në atë që një mjek ligjor e cilësoi si vetëvrasje. Ai po mbahej nën akuzat për trafikim seksual, pasi ishte dënuar më parë për prostitucion.
/vizionplus.tv