
Në Pallatin e Kulturës në Lezhë u shfaq dramatizimi “Eposi Shqiptar”, një formë e re artistike për të prezantuar “Lahutën e Malcis” të At Gjergj Fishtës. Përmes ndërthurjes së aktrimit, muzikës, kostumografisë tradicionale dhe skenografisë simbolike, krijuesit sollën në skenë një mënyrë ndryshe për ta përjetuar veprën madhore të poetit.
Shfaqja, me dramatizim dhe regji të Kol Kunorës, u realizua me interpretimin e aktorëve Mark Hilaj, Mario Paloka, Keslin Perdoda, Alesia Alcani dhe Gerald Ndreca, ndërsa Pretash Nilaj (Mjeshtër i Madh) përcolli tingujt autentikë të lahutës.
Regjisori Kol Kunora u shpreh se ky koncept është vetëm fillimi i një cikli të ri prezantimesh të “Lahutës së Malcis”.
“E kam pasur detyrim prej kohësh që ‘Lahutën e Malcis’ ta sillja në skenë në një formë më të plotë. Ajo është shumë e gjatë, dhe jemi munduar të ndërthurim ngjarjet më pikante që lidhen me Lezhën. Mendova ta krijoja me dramatizimin e pesë personazheve bashkë” , shprehet regjisori Kol Kunora
Edhe për aktorët, interpretimi i kësaj vepre mbetet një sfidë për nga thellësia e gjuhës dhe emocionit që kërkon, por një mënyrë e denjë për ta ringjallur Fishtën në skenë.
“Ishte diçka interesante dhe e veçantë në krahasim me herët e tjera. Gjatë kohës që kam bërë provat me regjisorin ose kam marrë pjesë në këtë projekt, kuptova sa pak e njoh Fishtën.”
“Realisht, Fishta ka qenë një autor që e kam pasur shumë për zemër, dhe kur mu dha mundësia isha shumë e lumtur. Është një autor shumë i vështirë për t’u interpretuar nga të rinjtë.”
Sipas aktorëve, kjo mund të jetë hera e parë në vitet e fundit që dramatizohet një vepër e Fishtës. Ky projekt kulturor, pjesë e Tetorit Fishtjan dhe i mbështetur nga Bashkia Lezhë, synon të sjellë trashëgiminë e poetit kombëtar në një formë bashkëkohore dhe të ndjeshme për publikun.
/vizionplus.tv
 
 
 
 
