Presidenti i Ekuadorit, Guillermo Lasso, ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme në sistemin e burgjeve, pas një beteje në mesin e të burgosurve që ka rezultuar me të paktën 116 persona të vdekur dhe rreth 80 të plagosur.

Zyrtarët, të cilët kanë fajësuar bandat e lidhura me kartele ndërkombëtare të drogës, kanë thënë se të paktën pesë të vdekurve u është prerë koka në përleshje në Guayaquil.

Presidenti Lasso e ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme më 29 shtator, duke thënë në një konferencë për media se ajo që ka ndodhur është “e keqe dhe e dhimbshme”, dhe ka thënë se ai nuk mund të garantojë se autoritetet kanë nën kontroll situatën.

“Është për keqardhje që burgjet janë duke u kthyer në territore për përleshje mes bandave kriminale”, ka thënë ai, duke shtuar se do të veprojë me “qëndrueshmëri absolute”, për të fituar kontrollin e burgut dhe të parandalojë përhapjen e dhunës edhe në burgje tjera.

Advertisement
google_ad_client = "ca-pub-9470492314070355"; google_ad_slot = "5632655076"; google_ad_width = 300; google_ad_height = 250; google_page_url ="http://www.zhaku.net/";

Gjendja e jashtëzakonshme i jep fuqi Qeverisë së Ekuadorit që të përfshijë edhe zyrtarë policorë e ushtarakë nëpër burgje.

Ledy Zuniga, ish-presidente e Këshillit Kombëtar të Ekuadorit për Rehabilitim, ka thënë se në historinë e këtij shteti të Amerikës Jugore, nuk është raportuar asnjëherë një incident i shkallës së tillë nëpër burgje./ Rel