Agjensia bërthamore e OKB-së do ndihmojë për sigurinë e centraleve bërthamore të Ukrainës

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Agjensia bërthamore e OKB-së do ndihmojë për sigurinë e centraleve bërthamore të Ukrainës

Kreu i agjensisë së OKB-së për çështjet bërthamore tha se janë arritur marrëveshje të veçanta me autoritetet ukrainase dhe ruse për llojin e asistencës që do të japë agjensia e tij, ndërkohë që sulmi i Rusisë në Ukrainë ka hyrë në muajin e dytë.

 

Frika ka qenë e lartë gjatë luftës pesë javore për një incident të mundshëm bërthamor, ndërsa Rusia bombardon pa dallim pjesë të ndryshme të Ukrainës. Më 3 mars, bombardimet përreth centralit bërthamor Zaporizhzhia, në Ukrainën juglindore, e rritën frikën më tej.

 

Advertisement

“Dërguam disa paisje. Është fillimi”, u tha gazetarëve drejtori i përgjithshëm i Agjensisë Ndërkombëtare për Energjinë Bërthamore (IAEA), Rafael Mariano Grossi, pasi u kthye të premten në Vjenë nga një vizitë në terren në Ukrainë dhe takime në Rusi. “Por, kemi disa aktivitete të strukturuara që do të fillojnë nga java e ardhshme”.

 

Asistenca do të përfshijë dërgimin e ekipeve të ekspertëve dhe paisjeve, si dhe krijimin e një mekanizmi të ndihmës së shpejtë.

 

Advertisement

“Në rast se ka një situatë – një emergjencë – që mund të ndodhë, po krijojmë një mekanizëm në afërsi, nëpërmjet të cilit mund të dërgojmë një ekip për të vlerësuar situatën dhe për të ndihmuar pothuajse menjëherë”, tha zoti Grossi.

 

Në fillimet e sulmit, forcat ruse morën centralin jofunksional bërthamor të Çernobilit. Të enjten, u konfirmua se rusët do të largoheshin. Pati njoftime se qindra ushtarë rusë ishin helmuar nga radiacioni pasi kishin gërmuar për të hapur llogore në zonën më të ndotur të ndaluar, të quajtur Pylli i Kuq.

 

Advertisement

Zoti Grossi tha se situata e përgjithshme e radiacionit përreth centralit tashmë është “krejt normale” dhe se nuk mund të konfirmojë njoftimet se po sëmureshin ushtarët rusë.

 

“Kishte një nivel relativisht më të lartë rrezatimi të lokalizuar për shkak të lëvizjes së mjeteve të rënda gjatë marrjes së centralit dhe duket se e njëjta situatë është krijuar gjatë largimit”, tha zoti Grossi. “Dëgjuam për mundësinë e personelit që mund të jetë kontaminuar, por nuk kemi ndonjë konfirmim për këtë”.

 

Advertisement

Drejtori i përgjithshëm tha se anëtarë të stafit të tij do të shkojnë “shumë shpejt” në Çernobil, dhe se aty ka shumë punë teknike për t’u bërë, pasi janë humbur shumë kapacitete të monitorimit nga larg, të cilat duhen ringritur sërish. Ai tha se kjo mund të realizohet me shpejtësi./ Voa

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2023 Struga.info | Privacy policy