
Karantina dhe kriza ekonomike e kanë prekur edhe Al Banon, që nuk mund t`i kthehet koncerteve live, dhe si shumë sipërmarrës është i shqetësuar për biznesin e tij. Këngëtari i njohur foli për këtë në një intervistë e cila u botua në numrin e fundit të së përjavshmes “Diva e Donna”.
“Nëse gjërat do të vazhdojnë të shkojnë keq, dhe mua do të më duhej të jetoja vetëm me pensionin tim, nuk do të isha fare mirë.
Pensioni më shkon 1.470 euro në muaj, deri para disa muajsh ishte 1.370. Nuk e kuptoj sesi është e mundur kjo pasi gjithë jetën time kam punuar e derdhur kontribute, që kur isha fermer këtu në Puglia dhe më pas përpunues metalesh në Milano”, u ankua ai.
“Kam vetëm shpenzime, asgjë nuk po hyn. Nëse vazhdoj me këtë ritëm, do ta shtyj e shumta një vit”, shton Al Bano i shqetësuar. Për shkak të masave anti-Covid, artisti është detyruar të anullojë koncertet e programuara në Rusi, Rumani, Austri, Gjermani, Spanjë, Kinë e Australi.