
Protothema.gr ka publikuar foto dhe prova të veprimeve të anëtarëve të organizatës, të cilët akuzohen se janë përfshirë në vrasjet e të ashtuquajturës “Mafia Greke”.
Ata akuzohen për vrasjen e mafiozëve Skaftouros dhe Roubetis.
Në fotot e para, anëtarët e organizatës shihen duke sulmuar një pikë karburanti të familjes Skaftouros.
Sulmi ndodhi më 10 qershor 2023.
Më pas, katër persona me tipare të mbuluara, janë afruar në ambientet e jashtme të karburantit dhe pasi kanë imobilizuar nën kërcënimin e armëve dy punonjës, kanë shkaktuar zjarre dhe shpërthime në kamionë të parkuar.
Sulmi në magazinë
Fotot e mëposhtme dokumentare tregojnë autorët gjatë sulmit të tyre në një magazinë industriale në Aspropirgos.
Goditja ndodhi më 16 qershor 2023 dhe u zbulua se brenda magazinës ndodheshin pajisje për prodhimin e cigareve.
Nëntë persona me tipare të mbuluara dhe me armë të rënda, kanë bllokuar hyrjen me një automjet dhe janë futur në zonë.
Pasi kanë imobilizuar një punonjës, i kanë vënë flakën 23 makinerive të prodhimit të produkteve të duhanit, duke shkatërruar një pjesë të madhe të pajisjeve mekanike.
Autorët janë larguar nga vendi i ngjarjes me mjete, njëra prej të cilave është përfshirë në një aksident trafiku, duke i detyruar ta braktisin atë.
Automjeti i kaloi Drejtorisë së Hetimeve Kriminale, ndërsa nga hetimet u gjetën gjurmë gishtash të dy anëtarëve të organizatës dhe u zbuluan prova që lidhnin një tjetër pjesëtar me zjarrvëniet.