
Qeveria franceze ka vendosur që nga 15 janari, me votim të Parlamentit, të prezantojë lejen e vaksinimit, ose të ashtuquajturën “Super Green Pass”. Për më tepër, nga e marta, do të jetë e mundur të kryhet doza e tretë, ose ajo përforcuese, vetëm tre muaj pas të dytës.
Kryeministri Jean Castex bëri të ditur, duke ripërsëritur, në prag të Vitit të Ri, “rekomandimet” për të shmangur tubimet, për të kufizuar festat e mëdha dhe për t’iu nënshtruar tamponëve parandalues.
Castex ka njoftuar gjithashtu dënime më të ashpra për shitjen e lejeve të rreme të gjelbërta. Për më tepër, nga 3 janari nuk do të mund të konsumohet ushqim më në lokalet në këmbë, por vetëm në tavolinë, eventet kryesore do të kufizohen në 2 mijë persona në ambiente të mbyllura, 5 mijë në ambiente të jashtme dhe do të kthehet puna e detyrueshme nga shtëpia për të paktën tre ditë në javë.
Siç po ndodh në Itali aktualisht, edhe Parisi po vlerëson nevojën për të reduktuar ditët e izolimit të kontakteve të një pozitivi për të mos e gjetur veten në janar me një vend të paralizuar.
“Rregullat e reja do të shpallen deri në fund të javës”, paralajmëroi kryeministri. Për Vitin e Ri, megjithatë, u përsëritën “rekomandimet” e Krishtlindjeve, përkatësisht shmangia e festave dhe tubimeve të mëdha, përdorimi i maskave dhe kryerja e testeve parandaluese./ SI