
Holandezët i janë drejtuar sot kutive të votimit për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të cilat shihen si një test i rëndësishëm për forcën e ekstremit të djathtë në Evropë. Rreth 13.5 milionë qytetarë kanë të drejtë vote, ndërsa qendrat e votimit janë hapur në orën 7:30 dhe pritet të mbyllen në orën 21:00.
Sipas sondazheve të fundit, politikani kundër emigracionit dhe islamit, Geert Wilders, është në një garë të ngushtë për të përsëritur suksesin e zgjedhjeve të dy viteve më parë me forcen e tij politike, Partia për Liri. Megjithatë, me më shumë se gjysmën e votuesve ende të pavendosur, rezultati pritet të jetë i paparashikueshëm.
Të gjitha partitë tradicionale e kanë përjashtuar mundësinë e bashkëpunimit të ri me të, duke vlerësuar se Wilders është një partner që nuk mund t’i besojnë dhe se qëndrimet e tij janë të papranueshme.
Sistemi i fragmentuar politik holandez nënkupton se asnjë parti nuk mund të arrijë të fitojë 76 mandatet e nevojshme për të qeverisur vetëm, prandaj konsensusi dhe koalicionet janë të nevojshme.
Rezultatet zgjedhore në ekonominë e pestë më të madhe në Bashkimin Evropian – do të shihen si matës për fuqinë e ekstremit të djathtë, teksa parti të ngjashme në Francë, Gjermani dhe Britani, sipas sondazheve, janë në epërsi./vizionplus.tv