
I dërguari special i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi Miroslav Lajçak është takuar me presidentin serb Aleksandër Vuçiç.
Mediat serbe raportuan se takimi zgjati më shumë se 5 orë. Në një postim në Twitter Lajçak ka konfirmuar se diskutimi ka qenë i gjatë dhe i vështirë.
“Diskutim i gjatë dhe i vështirë, por i drejtë me presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiç. Unë mbështetem në sjelljen e përgjegjshme të të gjithëve për të treguar përmbajtje për sigurinë e stabilitetit. Dhuna duhet shmangur. U pajtuam që të gjitha marrëveshjet e dialogut duhet të mbahen dhe të zbatohen plotësisht.”
Sot në veri të vendit, me ftesë të Listës serbe, do të mbahet takimi i përfaqësuesve serbë në institucionet e Kosovës dhe është paralajmëruar se do të merret një vendim për largimin e tyre.
Gjithashtu është paralajmëruar edhe mbledhja e qeverisë serbe, ku është i ftuar dhe presidenti Vuçiç për të diskutuar për situatën në Kosovë. E gjithë kjo pas vendimit të Prishtinës për targat e automjeteve.