
Der Spiegel
Ish-agjenti i FBI-së amerikane, Ali Sufan, 50 vjeç, ishte i pari që mori në pyetje të burgosurin Abu Subaida, pas sulmeve terroriste të 11 Shtatorit 2001. Ai arriti të merrte prej tij informacione të rëndësishme në lidhje me personat që qëndronin pas sulmeve të 11 Shtatorit.
Saufan ka folur më vonë në publik lidhur me metodat e torturës që ishin përdorur nga qeveria amerikane.
Ai punon sot si konsulent dhe shkrimtar. Ditët e fundit,thuajse nuk ka fjetur pasi është përpjekur t’i ndihmojë miqtë, të njohurit, ish-bashkëpunëtorët dhe përkthyesit qëtë largohen nga Afganistani. Në një intervistë për “Der Spiegel” ai thotë se lufta kundër terrorizmit ka dështuar. Sufan beson se tërheqja e nxituar e SHBA-së nga Afganistani do të krijojë një valë frike dhe do të forcojë ekstremistët në të gjithë botën.
Luftëtarët talebanë po shihen përditë duke shëtitur nëpër Kabul me kamionçina, dhe po pozojnë me armë në duar në studiot televizive. A ju tingëllon një situatë e njohur?
Kjo është e vërtetë. Pas 20 vjetësh, talebanët kanë marrë sërish nën kontroll Afganistanin. Dhe ne duhet të jemi të vetëdijshëm se tërheqja e SHBA-së nga Afganistani, dhe mënyra se si ndodhi kjo gjë është frymëzuese për njerëzit në botë.
Ajo është një fitore e madhe jo vetëm për lëvizjen xhihadiste globale, por edhe për të gjithë militantët që veprojnë kundër SHBA-së, dhe kjo do të ketë pasoja serioze për sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara.
Kjo sepse tani që të gjithë këto grupe, do të jenë në gjendje të rigrupohen në Afganistan pa pasur asnjë pengesë apo jo?
Jo vetëm kaq. Ajo që ndodhi është frymëzuese edhe për grupet ekstremiste sunite si Hezbollahu në Liban apo Huthit në Jemen, dhe shumë grupe të tjera anti-amerikane në Lindjen e Mesme. Gjithashtu ajo mund të sigurojë hapësira për rigrupimin e Al-Kaidës.
Kjo e fundit ka sërish një shtab qendror ku të stacionohet, edhe pse ka shumë bashkëpunëtorë në vende të ndryshme në Lindjen e Mesme. Al-Kaeda ka njerëzit e saj në Somali, Jemen dhe Siri. Unë mendoj se do të jetë shumë e vështirë të frenohet kërcënimi i xhihadit në Afganistan.
A nuk është tani më e rrezikshme dega afgane e Shtetit Islamik (ISIS-K)?
ISIS Khorasan është një hyrje e re në Afganistan. Gjithsesi kjo organizatë është e rrezikshme, dhe jo vetëm kundër nesh dhe interesave tona. Por ajo është e rrezikshme edhe për talebanët dhe Al-Kaidën. Ky grup ka mbledhur të gjithë ata luftëtarë që u shkëputën nga Al-Kaida dhe talebanët, duke besuar se këta të fundit nuk janë aq rigorozë në aspektin fetar.
Dhe është interesant fakti që shumë fraksione brenda talebanëve u janë bashkuar atyre, duke besuar se ekziston mundësia e ngritjes së Kalifati të premtuar,dhe për të cilin ata duan të luftojnë.
Presidenti Xho Bajden deklaroi në fjalimin e tij javën e kaluar, se nuk kishte asnjë alternativë ndaj tërheqjes së SHBA nga Afganistani. Ju vetë pajtoheni me këtë qëndrim?
Le të jemi të qartë për një gjë:Sipas mendimit tim, ne e humbëm luftën në Afganistan që në vjeshtën e vitit 2002. Ai ishte momenti kur administrata e Xhorxh W.Bush nisi të zhvendoste shumë burime të rëndësishme për t’u përgatitur për luftën në Irak.
Kjo gjë po ndodhte pikërisht në kohën kur Al-Kaida dhe talebanët po rigrupoheshin në Afganistan. Ajo ishte një goditje e rëndësishme ndaj çdo lloj përpjekjeje konstruktive.
Pastaj ne lamë pas dore shumë probleme të tjera që kanë të bëjnë me korrupsionin, dhe me respektimin në thelb të mënyrës sesi është ndërtuar Afganistani. Disa administrata amerikane kishin një ide se si duhet të jetë Afganistani, por nuk e kuptuan kurrë se si është në fakt Afganistani. Unë mendoj se ky ishte një nga problemet tona më të mëdha.
Pra, SHBA-ja dështoi sepse nuk bëri mjaftueshëm përpjekje për ta njohur më mirë armikun?
Absolutisht po. Afganistani është një vend fisnor i ndarë në shumë rajone, të populluara nga grupime të ndryshme etnike. Shumica e afganëve nuk i besonin qeverisë qendrore për shkak të korrupsionit. Kur kishin një problem ata nuk shkonin tek qeveria, por tek luftëtarët lokalë dhe pleqtë e fiseve për të zgjidhur shumë nga këto halle.
Ky ishte një shans që ne e humbëm. Ne kishim nevojë për një politikë të bazuar në kulturën e vendit, bazuar në kulturën e Kabulit, Heratit, Mazar-e-Sharif, dhe jo të bazuar në kulturën e Uashingtonit. Mendoj se ky ishte një nga problemet më të mëdha.
Misioni në Afganistan përfshiu 4 presidenca amerikane. A mbajnë të gjitha përgjegjësi të barabartë për atë që ndodhi?
Mendoj që mund të flasim për një dështim kombëtar, për një disfatë kombëtare. Kjo humbje është për shkak të dy administratave demokratike dhe dy administratave republikane. Çdo administratë bëri shumë gabime atje. Administrata Bush bëri shumë gabime me zhvendosjen e burimeve të nevojshme për t’u përqendruar tek Iraku.
Administrata Obama dërgoi më shumë trupa dhe për 8 vjet shpresoi se atje do të ndodhte ndonjë mrekulli. Administrata Trump është përgjegjëse për moskuptimin fare të situatës dhe për nisjen e negociatave vetëm me talebanët, për shpërfilljen e qeverisë afgane dhe për lirimin e 5.000 luftëtarëve talebanë pa kërkuar asgjë në këmbim.
Bajden thotë se kaosi në fund ishte i pashmangshëm. Dhe këshilltarët e tij të sigurisë thanë se askush nuk mund ta dinte se qeveria dhe ushtria afgane do të kapitullonin brenda 11 ditëve…
Jo, kjo është e pakuptimtë. Nëse Bajden e dinte se do të largohej nga Afganistani, pse nuk i zbatoi politikat e tij që nga Dita e Parë, duke planifikuar një strategji për largimin? Të paktën kjo do të kishte qenë një ikje më e nderuar.
Ndërkohë ne u tërhoqëm në mesin e natës, pa u koordinuar me britanikët, me NATO -n, dhe madje as me qeverinë afgane. Amerikanët u zgjuan një ditë dhe panë se SHBA-ja ka braktisur bazat dhe e ka mbyllur ambasadën e saj. Kjo gjë krijon një frikë, e cila në thelb do të jetë e pamundur të frenohet.
Çfarë prisni të ndodhë në vazhdim?
Unë mendoj se talebanët nuk do të veprojnë ashtu si dikur. Besoj se ata do të kenë një stil të ndryshëm për t’i bërë gjërat, pasi këto 20 vite kanë mësuar shumë. Kanë mësuar se si të jenë më pragmatikë. Tashmë ata dinë të jenë më dioplomatë, dhe ata duan të jenë pjesë e kësaj loje të madhe gjeopolitike, e konkurrencës së fuqive midis SHBA-së dhe Kinës.
Talebanët po bashkëpunojnë tani me pakistanezët, teksa kanë hapur kanale komunikimi për iranianët. Ata po takohen me kinezët për të diskutuar në lidhje me investimet dhe programet e infrastrukturës. Por kjo është vetëm fasada. Në thelb ata nuk kanë ndryshuar. Qëllimet e tyre vazhdojnë të jenë të njëjta.
Çfarë do të thotë kjo për Perëndimin?
Ne kemi urgjentisht nevojë për një Plan B, për një strategji të re që të pengojmë Al-Kaidën ose xhihadistët, apo edhe talebanët që të planifikojnë apo kryejnë sulme terroriste kundër Perëndimit. Ne duhet të gjejmë hapësira operacionale ku mund t’i kontrollojmë këto grupe terroriste. Unë mendoj se i vetmi vend ku mund të angazhohemi politikisht, diplomatikisht dhe, nëse është e nevojshme ushtarakisht është në Doha, pasi atje kemi bazën më të madhe ushtarake jashtë SHBA-së.