
Operacioni i forcave ushtarake izraelite ne qytetin Jenin në Bregun Perëndimor po vijon në ditën e dytë ndërsa të hënën mbetën të vrarë të paktën dhjetë persona dhe u plagosën mbi 100 të tjerë.
Disa mijëra palestinezë po largohen nga banesat e tyre në kampin e refugjatëve që ndodhet në këtë qytet, të frikësuar nga sulmi më i madh ushtarak izraelit në 2 dekadat e fundit.
Infrastruktura energjitike në këtë zonë është dëmtuar rëndë prej sulmeve me buldozerë dhe dronë ndërsa agjencia e OKB-së për refugjatët ka ngritur shqetësmin se shumë njerëz në kamp kanë nevojë për ushqim dhe ujë të pijshëm.
Nga ana tjetër një ngjarje u shënua në Tel Aviv ku një shofer përplasi me automjet disa qytetarë dhe shkaktoi 7 të plagosur. Shoferi u qëllua për vdekje nga një civil i armatosur ndërsa izraelitët e konsideruan ngjarjen si sulm terrorist. Ata pretenduan gjithashtu se shoferi ishte një palestinez nga Bregu perëndimor.
Sulmi ushtarak ndaj qytetit të refugjatëve u urdherua nga qeveria e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu me pretendimin për shkatërrim të infrastrukturës dhe grupeve tërroriste.
Dhuna mes izraelitëve dhe palestinezëve është përkeqësuar që nga viti i kaluar dhe është përshkallëzuar edhe më tej gjatë kohëve të fundit.
Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, nëpërmjet një deklarate tha se është thellësisht i shqetësuar lidhur me dhunën dhe bëri thirrje që të respektohet ligji ndërkombëtar humanitar. Shqetësim kanë ngritur jordania fqinje si dhe Emiratet e bashkuara Arabe.